Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë plëndësi me salcë të kuqe / Supë me mish të grirë, oriz dhe salcë domatesh / Turshi të përzier me lulelakër dhe perime.
Arsimi ka qenë dhe mbetet një nga temat që nxit më shumë debat në shoqëri. Kohët e reja sjellin sfida të reja, dhe bashkë me to ndryshon edhe mënyra se si edukohen brezat e ardhshëm. Tekstet shkollore, si një nga shtyllat kryesore të procesit mësimor, kanë pësuar ndryshime të dukshme gjatë dekadës së fundit, duke ngritur pyetje mbi përmbajtjen, qartësinë dhe cilësinë e tyre. A janë sot tekstet më të ngarkuara apo më të thjeshtuara për fëmijët? Sa cilësore janë përkthimet dhe çfarë orientimi u japin nxënësve? Në këtë diskutim në "Rreze Dielli" do të ndalemi te cilësia e teksteve shkollore, te didaktika e ndjekur dhe roli i trinomit prind–fëmijë–mësues në formimin e brezave të së ardhmes. Inteligjenca artificiale tashmë është bërë pjesë e kurikulave, duke sjellë njëkohësisht mundësi të reja, por edhe sfida për një sistem arsimor të ndërtuar mbi metoda tradicionale. Pyetja që shtrohet është: a po formojmë fëmijë më të ditur, më empatikë dhe më të aftë për të menduar kritikisht, apo thjesht më të përshtatur me një botë gjithnjë e më online? Diskutojmë me panelistët e ftuar, Irena Shabani, gazetare dhe shkrimtare; Marsi Simo, sociologe; dhe Pëllumb Karameta, ekspert i arsimit; për mënyrën se si trajtohen tekstet shkollore, njohuritë që përçojnë, si dhe problematikat që hasin prindërit në këtë proces. Çfarë ka ndryshuar realisht në këtë dekadë? Çfarë është bërë mirë dhe çfarë jo?
Në një epokë ku teknologjia digjitale po zë gjithnjë e më shumë hapësirë në jetën tonë të përditshme, shkrimi i dorës po përballet me rrezikun e zhdukjes. Duke e konsideruar atë si një trashëgimi kulturore dhe njohëse me vlerë të veçantë, UNESCO ka ndërmarrë një nismë për mbrojtjen dhe promovimin e shkrimit të dorës. Kjo nismë synon të rikthejë vëmendjen te rëndësia e shkrimit manual në edukim, identitet kulturor dhe zhvillim personal, përballë dominimit gjithnjë e më të madh të mjeteve digjitale. Dskutojmë për rëndësinë e kësaj nisme, sfidat që sjell epoka digjitale dhe mënyrat konkrete për ruajtjen e shkrimit të dorës në shoqërinë moderne.





















