Emisioni i plotë Rreze Dielli ( 28 shkurt 2023)

1 Mars 2023, 09:20 | Përditesimi i fundit: 2023-03-01 09:21:12

Zonja Albana solli tre receta plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byreçka me gjizë / Trishkat e Korçës, një ëmbëlsirë tradicionale / Sallatë me kus kus dhe perime

Të ftuarit e sotëm ishin Ana dhe Gjergj Kaçinari, fëmijët e kompozitorit të njohur, Alfred Kaçinari. ”Babi ka qenë shtysa jonë më e madhe për të qenë pjesë e muzikës, sigurisht dhe mami ka patur pjesën e vet” tha Ana në fillim të bisedës.

I pyetur për pjesën e marrëdhënies profesionale me Alfredin, Gjergji tha: Babi vazhdon të jetë brutal në kuptimin profesional, ai është kritiku im më i madh dhe sa herë nxjerr një këngë të re, sigurisht që është qendisur mirë”. Si motër e vëlla kanë një raport të shkëlqyer... E tillë ka qenë marrëdhënia e tyre nga fëmijëria. Janë rritur bashkë dhe shumë pasione i kanë ndarë po bashkë. Sa herë që Gjergji luan me grupin, Ana është aty në radhën e parë, si fansja më e zjarrtë e të vëllait. Herë pas here i rikthehen pianos së bashku në Akademi, jo më si dy fëmijë, por si profesionistë që kanë mbi supe shumë vite përvojë, mund dhe sakrifica për artin...

Në një lidhje skype nga Gjermania me Kampionin e Botës në Boks në kategorinë WBF, Shefat Isufi. ”Ditën e shtunë u bë ndeshja më e rëndësishme e jetës time, kundër kisha një argjentinas të peshës time dhe nuk ishte një ndeshje e lehtë”, e nis rrëfimin djali nga Lugina e Preshevës që jeton dhe punon në Gjermani prej shumë vitesh. ”Ndeshja ishte shumë e mirë nga aspekti taktik, por unë personalisht isha i pakënaqur, paçka fitores” vazhdon më pas ai. “Isha jo në gjendje të mirë shëndetësore, por forca dhe vullneti që i dhashë vetes bëri që të dal Kampion Bote dhe i thënë vetes që po, ti mundesh” shtoi Shefati teksa kishte pak vështirë në bisedë, për shkak të plagëve në fytyrë që ishin ende të freskëta. ”Kjo është për mua fitorja e 34-t në një garë të rangut profesionist dhe paçka shenjave që kam sot në fytyrë, sot jam i lumtur që flamuri shqiptar u valvit mbi supin tim si Kampion Bote.