Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 3 Prill 2025 – Receta/ Ankthi, sfida e shekullit modern/ ‘Engjelli mbrojtës’ i kafshëve

3 Prill, 16:37

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pitalka me suxhuk / Tavë kosi me mish qengji /Krem limoni.

Ankthi, sfida e shekullit modern! Stresi dhe ankthi janë dy ndjesi të zakonshme në ditët e sotme për shkak të shumë arsyeve, përfshirë ngjarjet globale, ngjarjet personale, dhe shpejtësia e jetës moderne. Gjendje ankthi, depresion, sulme paniku, çrregullime të humorit dhe deri çrregullime të personalitetit… Vitet e fundit, numri i shqiptarëve dhe kryesisht të rinjve që vuajnë nga ankthi dhe depresioni është rritur në mënyrë dramatike. Të gjithë përjetojnë stres dhe ankth në momente të ndryshme të jetës së tyre, por kur një problem kërkon vëmendjen tonë? Çfarë simptomash duhet të kenë kujdes njerëzit dhe cilat janë ndikimet shëndetësore të stresit afatgjatë si dhe ankthit? A ka disa mënyra për të menaxhuar ankthin dhe si shërohet ai? Psikologia Ema Bruci në studion e “Rreze Dielli” thekson simptomat më kryesore të shfaqes së stresit dhe ankthit të cilat janë sinjale për të kërkuar ndihmën e duhur në kohë. “Stresi është një gjendje që duhet trajtuar që në hapat e parë të tij duke parandaluar kështu ankthin, panikun dhe rënien në depresion”, ishte apeli i psikologes.

Jeton me 9 kafshë, të cilat i ka marrë nga Shqipëria dhe i mban në shtëpinë e saj në Kanada. Ajo është shkodrania Oli Pero, aktiviste për mbrojtjen e kafshëve, e cila këto ditë ndodhet në Shqipëri për ‘misionin’ e saj të jetës: mbrojtjen e kafshëve. Pa frikë Olin mund ta quajmë ‘engjellin mbrojtës të kafshëve’, e ftuar në studion e Rreze Dielli tha se dashuria e saj për kafshët ka lindur bashkë me të. “Angazhimi im për mbrojtjen e kafshëve është diçka që e konsideroj të drejtë për shoqërinë shqiptare, duke patur parasysh se ka shumë pak ndërgjegjësim për këtë çështje” theksoi ajo. Prej më shumë se një dekadë Oli ka një strehë që operon në Shkodër për mbrojtjen e kafshëve, dhe pavarësisht se jeton në Kanada e vijon angazhimin e saj, ka strehuar qindra kafshë në strehën e krijuar ‘Animals Needs Me’.