Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 4 Prill 2025 – Receta/ 3 motra kampione/ Fenomeni ‘Adoleshenca’/ Komploti botëror kundër grave

4 Prill, 16:20 | Përditesimi: 4 Prill, 16:20

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pastiçe me perime / Bishtaja me mish viçi / Sallatë me oriz të zi.

Në studion e “Rreze Dielli” jemi me tre vajza të jashtëzakonshme, të cilat jo vetëm ndajnë të njëjtin pasion për atletikën, por edhe të njëjtin gjak. Janë tri motra, tri kampione dhe tri histori suksesi që i kanë bërë krenarë jo vetëm familjen, por edhe gjithë Shqipërinë. Ato kanë ndjekur rrugën e një emri të madh të atletikës shqiptare – kampiones Luiza Gega – dhe sot janë ndër sportistet më premtuese të vendit. Me medalje të fituara në kampionate kombëtare, ballkanike dhe europiane, ato tregojnë se talenti dhe përkushtimi janë një trashëgimi e vyer në familjen e tyre. Por si është të ndash sportin me familjen? A ka konkurencë mes tyre? Si është raporti me Luizën dhe çfarë ëndrrash kanë për të ardhmen? Sot do t’i zbulojmë të gjitha këto në një bisedë të ngrohtë e plot energji me tre kampione të atletikës Relaksa, Redia dhe Alesia Dauti!

Një film që po bën bujë dhe ka ndezur debatet! "Adolescence" është duke u ndjekur masivisht dhe ka shkaktuar reagime të ndryshme tek të rinjtë dhe prindërit. Çfarë fshihet pas këtij fenomeni? Si ndikon tek adoleshentët dhe çfarë mesazhesh përcjell? Çfarë elementesh sociale e bëjnë atë kaq tërheqës për këtë grupmoshë? A mund të ketë ndikime pozitive apo negative në sjelljen e të rinjve, si mund ta analizojmë këtë nga pikëpamja sociologjike? A tregon ky film një pasqyrë të vërtetë të jetës së adoleshentëve dhe cilat janë sot sfidat më të mëdha të tyre, por dhe vetë prindërve? Në studion e “Rreze Dielli” kemi një eksperte të fushës, sociologen Rajna Kovaçi për të analizuar këtë fenomen më nga afër.

Përmes prizmit të këndvështrimit femëror, libri “Komploti botëror kundër grave” gjurmon dhe ndjek që nga fillimi zhvillimin në historinë njerëzore të grave dhe të burrave. Në libër shpalosen shumë personazhe botërore, që nga lashtësia e deri në ditët tona, si dhe rrëfehet mënyra se si ka ndikuar në formimin e gruas të ditëve tona. Nëse doni të kuptoni sekretet e komplotit botëror të grave dhe fillesat e lëvizjes feministe, çlirimin nga paragjykimet etj, ky libër është shumë i vlefshëm për gratë! Ky libër i Azora Rajs vjen i përkthyer në shqip nga Rajna Kovaçi, e cila na tregon më shumë në studion e “Rreze Dielli”.

MC/Shqiptarja.com