Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 7 Korrik 2026 – Receta / Ushtrime & lojra me top për fëmijët / Siguria ushqimore

7 Korrik, 16:09 | Përditesimi: 7 Korrik, 16:09

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: "Peinirli", pite greke me pançetë, mozarela dhe vezë / Qofte pule në furrë me qepë të karamelizuara dhe shtresë djathi / Tarator me kungulleshka, kos dhe arra.

Vera është koha ideale për të kaluar më shumë momente cilësore në familje dhe për të qenë sa më aktivë. Plazhi nuk është vetëm një vend për t'u relaksuar, por edhe një hapësirë perfekte për lojëra dhe ushtrime që i mbajnë në lëvizje si fëmijët, ashtu edhe prindërit. Në “Rreze Dielli” do të zbulojmë disa lojëra të thjeshta me top dhe ushtrime argëtuese që mund të praktikohen lehtësisht në bregdet, duke kombinuar aktivitetin fizik me argëtimin. Gjithashtu, do të dëgjojmë historinë e Einis Shpendit, atletit të vogël që prej tre vitesh stërvitet dhe garon me skuadrën e Tiranës, si edhe këshillat e instruktores së palestrës Matilda Çaushi për ta kthyer kohën me fëmijët në një përvojë të shëndetshme dhe plot energji.

Siguria ushqimore është një çështje që na prek të gjithëve, veçanërisht gjatë stinës së verës, kur temperaturat e larta rrisin rrezikun e prishjes së ushqimeve. Si mund të sigurohemi që produktet që blejmë janë të freskëta dhe cilësore? Si të dallojmë mishin dhe bulmetin cilësor, pa u mashtruar nga produktet "pa hile"? Dhe cilat janë mënyrat më të mira për të ruajtur në frigorifer perimet, bulmetin dhe ushqimet e tjera, në mënyrë që të mbeten të sigurta për konsum? Për t'iu përgjigjur këtyre pyetjeve diskutojmë në “Rreze Dielli” me Prof. Dr. Abdyl Sinani, dekan dhe ekspert i teknologjisë ushqimore, i cili do të ndajë këshilla praktike për të qenë konsumatorë më të informuar dhe vigjilentë, si edhe do të tregojë disa mënyra të thjeshta për të dalluar produktet cilësore dhe për të shmangur rreziqet që lidhen me sigurinë ushqimore.

MC/Shqiptarja.com