Fileto merluci (Baccalà) me djathë, sallatë dhe uthull molle nga zonja Albana

17 Maj 2023, 11:58

Fileto merluci (Baccalà) me djathë, sallatë dhe uthull molle

Përbërësit:

  • 400 gr filetto merluci (baccalà)
  • 100 gr djathë provolone valpadana
  • 100 gr sallatë jeshile
  • 100 ml uthull molle
  • Vaj ulliri ekstra i virgjër
  • Kripë

Përgatitja:

Baccalà është merluc i tharë në kripë dhe ka një procedurë krejt të veçantë gatimi me dy procese përgatitje, në fillim shkriposja dhe më pas gatimi.

Fillimisht do të bëjmë shkriposjen e Baccalà-s: Vendosim merlucin në një enë me ujë të ftohtë për ti hequr kripën e tepërt. Më pas e presim në copa të mëdha, e vendosim në një tas të madh dhe e mbulojmë me ujë të ftohtë. Mbulojmë enën me qese dhe e vendosim në pjesën më pak të ftohtë të frigoriferit. E lemë në ujë për 8 orë më pas e nxjerrim nga frigoriferi. Shpëlajmë merlucin dhe më pas e vendosim sërish në enën me ujë të freskët në frigorifer. Përsërisim këtë veprim 3 herë në ditë për 3-4 ditë, duke mos harruar të ndërrojmë ujin çdo herë. Pas 4 ditësh, merluci ‘baccalà’ do të jetë gati për t'u përdorur!

Pas procesit të shkripëzimit e kalojmë fileton e merlucit në një tigan që nuk ngjit me pak vaj ulliri dhe e skuqim nga të dy anët. Ndërkohë presim në shirita djathin provolone valpadana. Servirim merlucin duke vendosur në një pjatë si bazë disa gjethe sallate, më pas vendosim fileton e merlucit mbi të cilën hedhim uthull molle dhe në fund mbi fileto vendosim djathin e prerë në shkopinj të hollë.