Flasim në studion e ‘Rreze Dielli’ për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, ngjarja që bën bashkë ngjyrat e bukura të folklorit shqiptar. Prej gati 1 jave, Gjirokastra është kthyer në kryeqytetin e kulturës shqiptare teksa ka nisur Festivali Folklorik Kombëtar. Aktivitetet në ditën e gjashtë të këtij edicioni na i përcjell gazetari Bledi Strakosha dhe në një lidhje live nga Gjirokastra Edit Pula dhe Gentiana Ramadani.
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është veprimtaria më e rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare. Parada e motiveve, ritmeve, ngjyrave, këngëve, valleve, riteve shpalosen në paradën në qytetin e gurtë. Qëllimi kryesor i këtij festivali është pasqyrimi i gjerë i gjinive të folklorit dhe vlerave të tij. Ky festival ka gjithashtu si qëllim të mbrojë, të promovojë dhe të popullarizojë në publikun e gjerë vlerat më të mira muzikore, koreografike, etnografike të krijuara prej shekujsh. Veprimtaritë e këtij festivali promovojnë dhe krijimet e reja folklorike me karakter improvizues, lojërave me karakter imitativ, pantonimik e humoristik. Për herë të parë nuk do të ketë konkurrim por një komision ekspertësh të etnografisë, folkut, trashëgimisë kulturore dhe muzikologë që do të vlerësojnë prurjet më origjinale si dhe kalimin e elementëve të traditës nga brezi në brez.