I ftuar në emisionin “Rreze Dielli” ishte gazetari dhe fotografi i botës së egër Arian Mavriqi. Që nga fëmijëria Ariani u dha pas botës së egër dhe fotografisë. Këtij pasioni vështirë se i gjen vend në qytetet plot me ndërtesa të egra pasi kjo egërsi nuk është e njëjtë me llojin e asaj që Ariani e kërkon me aq përkushtim. ”Ne jemi dokumentues të kafshëve më të veçanta që syri i njeriut nuk mund t’i shohi në jetën e përditshme, si kaprolli, dreri i egër, apo shpendët më të veçanta që gjenden në malet tona”shprehet ai.
Përveç pasionit për botën e egër të kafshëve, Ariani përmes aparatit të tij shpesh ka qenë në qendër të vëmendjes mediatike si në rastin kur një nga fotot e tij u bë shumë virale, gjatë festimit të 15- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, një vajzë e vogël shihte babain e saj të veshur polic.
Një moment tjetër i rëndësishëm në karrierën e Arianit është dhe kur Kompania gjigande Microsoft, i bëri një koment fotos së gazetarit, pasi kjo e fundit kishte një ngjashmëri mbresëlënëse me logon që përdor aktualisht windows si simbol të saj në faqen e parë.”Sigurisht që ky koment nga kompania ishte shumë i veçantë për mua dhe u bë menjëherë lajm në portalet e Kosovës dhe jo vetëm”, u shpreh Ariani gjatë bisedës.