Në skype me Drilon Merturi, shqiptari që punon prej 15 vitesh si ciceron në muzetë më të famshme të Milanos ‘Novecento’ dhe ‘Palazzo Reale’. Përmes një guide virtuale ekskluzivisht për ‘Rreze Dielli’ nga Galeria e Artit Modern në Milano, Driloni na tregon disa prej kryeveprave më të mëdha botërore…
Galeria e Artit Modern është koleksioni më i rëndësishëm Lombard i veprave të shekullit të 19-të dhe ndodhet në Milano në Villa Reale. Villa Belgiojoso ku ndodhet Galeria është një nga kryeveprat e neoklasicizmit në Milano. Është ndërtuar midis viteve 1790 dhe 1796 si rezidenca e kontit Ludovico Barbiano di Belgiojoso dhe është projektuar me elegancë dhe funksionalitet nga arkitekti austriak Leopoldo Pollack, bashkëpunëtor i përfaqësuesit më të madh të neoklasicizmit lombard, Giuseppe Piermarini. Pas vdekjes së kontit, vila e madhe u ble nga qeveria për ta shndërruar atë në rezidencën milaneze të Napoleon Bonapartit. E transformuar në vitin 1921 në selinë e koleksioneve milaneze të artit modern, Villa Reale u ofron vizitorëve të saj një përvojë të jashtëzakonshme në të cilën mund të admirohen kryevepra boterore.
Drilon Merturi i lindur në Tropojë nga një baba bari dhe nëna mami kishte vetëm një motiv në fëmijërinë e tij të arsimohej sa më mirë. Driloni para se të largohej për në Itali ishte mësuesi i parë i gjuhës angleze në zonat e veriut. Pas emigrimit në Itali nis studimet për mediator gjuhësh dhe kulturash dhe më pas diplomohet në Shkenca politike dhe ekonomike. Sot Drilon Merturi punon si ekspert arti në muzeun "Novecento" dhe "Palazzo Reale" në Milano.