Kadaif me qumësht dhe arra
Përbërësit:
- 1 kg kadaif
- 350 gr gjalpë
- 100 ml qumësht
- 250 gr arra
Shurupi:
- 1.5 kg sheqer
- 1.250 ml ujë
- 1 vanilje
- Lëkurë limoni
Përgatitja:
Hapim kadaifin mirë në një tepsi duke i veçuar fijet sa të shkriftohet plotësisht. Lyejmë tavën me gjalpë dhe marrim pjesë-pjesë gjysmën e kadaifit dhe e vendosim me radhë në tavë. Shtrojmë arrat e mbi to shpërndajmë edhe gjysmën tjetër derisa të mbarohet. Me lugë i hedhim gjalpin sipër në të gjithë sipërfaqen dhe me majat e gishtave të dorës e lëkundim nga vendi që të njomet prej gjalpit. Më pas e spërkasim mirë me qumësht dhe e vendosim të piqet në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë për 30 minuta. Pasi e nxjerrim nga pjekja e lëmë të ftohet pak dhe e presim.
Përgatisim shurupin. Në tenxhere hedhim sheqerin, ujin, cipat e limonit. E vendosim në zjarr dhe e trazojmë sa të tretet sheqeri dhe e lëmë të vlojë 5-6 minuta. Në fund shtojmë vaniljen dhe e largojmë nga zjarri. E lëmë të ftohet pak dhe ia hedhim kadaifit duke e lënë zbuluar (edhe kadaifi kur i hidhet shurupi duhet të jetë i ngrohtë).