Kek me kajsi të freskëta nga zonja Albana

4 Qershor, 12:26

Kek me kajsi të freskëta

Përbërësit:

  • 300 gr miell
  • 100 ml qumësht
  • 80 ml vaj
  • 140 gr sheqer
  • 3 vezë
  • 4-5 kajsi të pjekura mirë
  • 1 pako pluhur fryrës për ëmbëlsira
  • Sheqer pluhur sipas dëshirës

Përgatitja:

Në një enë të thellë hedhim vezët dhe i përziejmë me anë të një rrahësi elektrik ose një piruni. Kur vezët të jenë rrahur mirë, shtojmë sheqerin dhe vazhdojmë me përzierjen derisa të shikojmë që kokrrizat e tij janë shkrirë plotësisht. Më pas shtojmë qumështin dhe pak vaj. Teksa vijojmë me përzierjen, shtojmë pak nga pak edhe miellin bashkë me fryrësin për ëmbëlsira. Kur të jetë formuar një masë brumi kremoze e trashë dhe pa kokrra hedhim gjysmën e tij në një tavë rrethore. Ndërkohë presim në copëza të vogla kajsitë dhe i vendosim në një enë duke i përzier me dy lugë sheqer. Pasi t’i kemi përzier mirë, shtojmë kajsitë në qendër të brumit dhe më pas hedhim pjesën tjetër të brumit. Tundim paksa tavën në mënyrë që brumi të shtrihet në të gjithë sipërfaqen e saj dhe e vendosim të piqet në furrë të parangrohur për 35-40 minuta në temperaturë 180 gradë Celsius. E servirim kekun sipas dëshirës me pak sheqer pluhur sipër.