Konferenca e Kryetarëve të Parlamenteve në Strasburg/ Spiropali: Shqipëria, lider në nxitjen e bashkëpunimit rajonal! Kosova duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës

20 Mars 2025, 13:12 | Përditesimi: 20 Mars 2025, 13:12

Në Strasburg po mbahet Konferenca e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. E pranishme ishte edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila gjatë fjalës së saj vlerësoi përpjekjet e vendit për luftën kundër korrupsionit dhe rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

Spiropali theksoi se hapja e zyrës rajonale të Parlamentit Evropian në Shqipëri tregon se vendi është një lider për nxitjen e bashkëpunimit dhe integrimit evropian të vendeve të rajonit.

"Vendimi i Parlamentit Europian për hapjen në Shqipëri të Zyrës Rajonale për Ballkanin Perëndimor është një rikonfirmim i faktit se Shqipëria është jo vetëm vendi kandidat me vizionin më të qartë, shpejtësinë më të lartë dhe vendosmërinë më të madhe drejt familjes europiane, por është edhe një qendër dhe lider në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin europian të vendeve të rajonit. Progresi i Shqipërisë drejt Bashkimin Europian është edhe rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe njohjes nga Këshilli i Europës të arritjeve tona, sidomos në pavarësinë e degëve të qeverisjes, reformën e thellë dhe gjithëpërfshirëse në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e pakicave dhe të të drejatve të njeriut, lirinë e medias etj."

r.k./Shqiptarja.com