Korrupsion në tenderin 1 mln dollarë për kanalin 'Agro', SPAK arreston ish- drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe 3 punonjës të tjerë të televizionit

8 Tetor 2021, 21:49 | Përditesimi i fundit: 2021-10-09 09:10:49

TIRANË- Një tender korruptiv në Radio Televizionin Shqiptar i nënshkruar në nëntor të 2018-së, ka çuar në pranga ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe 3 zyrtarë të këtij televizioni. SPAK ka bërë arrestimin e tyre mbrëmjen e sotme, pasi GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me Burg’.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se bëhet fjalë për tenderin për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro me vlerë 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh). Në pranga kanë rënë edhe 3 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj, të cilët akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", kryer në bashkëpunim. E ndërsa, Gëllçi akuzohet se ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi.