Siguria ushqimore është një nga çështjet më të rëndësishme për shëndetin tonë që do të thotë të prodhosh, ruash, të përgatisësh e ta shërbesh ushqimin në mënyrën e duhur, në mënyrë që vlerat ushqimore të tij apo kushtet higjenike të mbeten të paprekura dhe të ushqejnë organizmin. Me morinë e produkteve që qarkullojnë sot në botë, duket se misioni i një bote me ushqim të sigurt dhe brenda standarteve është më i vështirë se kurrë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë 1 në 10 persona sëmuret pikërisht nga ushqimi i kontaminuar. Ushqimi i pa sigurt mund të shkaktojë rreth 200 sëmundje që nisin nga ato kancerogjenet e deri tek problemet me tretjen. Bakteret që mund të formohen tek ushqimi janë të panumërta, prandaj edhe rreziku që vjen nga to është i madh.
Flasim në studion e “Rreze Dielli” me teknologun ushqimor Prof. Dr. Kapllan Sulaj, Dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, pikërisht për këtë problematikë, cilat janë ato ushqime dhe produkte ku jemi më të rrezikuar dhe ku duhet të tregojë më shumë kujdes konsumatori.