Kunguj të mbushur me mish të grirë në salcë të bardhë
Përbërësit:
- 10 kunguj mesatarë
- 1 qepë e thatë
- 500 gr mish i grirë viçi
- 1 thelpi hudhër
- 2 karrota të grira
- 50 ml verë e bardhë
- 200 gr oriz kokërrgjatë
- 500 ml ujë
- ½ filxhan vaj ulliri
- ½ tufë majdanoz / kopër
- ½ tufë nenexhik i freskët
- 1 qepë e njomë
- 3 karrota të prera në copa
- Kripë, piper i zi
Për salcën:
- 50 gr gjalpë
- 50 gr miell
- 1–2 gota lëng nga gatimi
- Lëngu i 1 limoni + lëkura e grirë
- Kripë, piper, kopër
Përgatitja:
Lajmë kungujt mirë, presim pjesën e sipërme dhe i zbrazim me kujdes me lugë duke lënë pak trashësi anash që të mos çahen gjatë zierjes. Në tenxhere hedhim vaj ulliri dhe kaurdisim qepën e grirë 2–3 minuta. Shtojmë hudhrën dhe mishin e grirë. E përziejmë derisa mishi të ndryshojë ngjyrë. Shtojmë karrotat e grira, qepën e njomë, majdanozin, nenexhikun, koprën. E shuajmë me pak verë të bardhë dhe sapo të avullojë hedhim orizin, kripën dhe piperin. Shtojmë pak ujë dhe e lëmë 5 minuta të ziejë lehtë. Mbushim kungujt rreth ¾, jo plot, sepse orizi fryhet gjatë gatimit. Vendosim kapakun sipër secilit. Në fund të tenxheres vendosim karrotat e prera dhe sipër radhisim kungujt. Hedhim 500 ml ujë, pak vaj ulliri dhe pak kripë. Vendosim pjatë sipër kungujve që të mos lëvizin. I lemë të ziejnë në zjarr mesatar 45–60 minuta. Ruajmë lëngun e gatimit për salcën. Në tenxhere shkrijmë gjalpin, hedhim miellin dhe e përziejmë 1 minutë. Shtojmë gradualisht lëng nga gatimi duke e përzier vazhdimisht. Hedhim lëngun dhe lëkurën e limonit. Shtojmë kripë, piper dhe kopër. E lemë salcën të trashet pak. Vendosim kungujt në pjatë dhe sipër hedhim salcën e ngrohtë.




















