Kungull i mbushur me gjizë, erëza dhe arra / Shef Seri Haskurti sjell recetën e vjetër të gjyshes

16 Qershor 2023, 12:05

Kungull i mbushur me gjizë, erëza dhe arra

Përbërësit:

  • 2 kunguj të njomë
  • 300 gr gjizë
  • 50 gr arra
  • 100 gr djathë kaçkavall
  • Pak bajame me feta
  • Pak hudhër /qepë të njomë
  • Koper, nenexhik
  • Kripë, piper
  • Vaj ulliri

Për servirje:

  • 3 lugë salcë kosi
  • 2 thelpinj hudhër
  • Pak qepë të njomë
  • Pak lëng limoni

Përgatitja:

Kungujt e njomë i ndajmë në mes dhe pastrojmë pak pjesën e brendshme.

I hedhim pak vaj ulliri, pak kripë dhe pak piper të zi. I lëmë për 5 minuta në furrë sa të mpihen pak dhe ndërkohë përgatisim mbushjen. Në një enë ovale shtojmë gjizën e shtëpisë, grijmë pak djathë kaçkavall për lidhjen, shtojmë me rradhë erzat, arrat, një pjesë të hudhrave dhe e përziejmë me një lugë ose pirun.

Sapo kungujt të jenë zbutur pak i mbushim një e nga një dhe i shtrojmë në një tavë të lyer me pak vaj ose gjalpë. Sipër i hedhim kaçkavall të grirë dhe pak bajame të grira dhe i spërkasim me pak vaj ulliri që të marrin një ngjyrë të artë dhe i vendosim në furrë për 10 minuta në 200-220 gradë.  

Ndërkohë përgatisim salcë për shërbimin në pjatë. Marrim salcën e kosit e përziejmë dhe i shtojmë pak hudhër të grirë, pak qepë të njomë dhe shtrydhim pak lëng limoni.