Kungulleshka të mbushura me salcë beshamel
Përbërësit:
- 8 kungulleshka të njoma
- 250 gr mish i grirë
- 1 filxhan kafeje oriz
- 2-3 qepë mesatare
- 1-2 tufë koper
- Kripë, piper
Për salcën beshamel:
- 2 lugë gjelle gjalpë
- 2 lugë gjelle miell
- 2-3 filxhanë çaji qumësht
- 1 filxhan çaji lëng nga kungulleshkat
- 2 të verdha veze
- Pak lëng limoni
- Kripë, piper sipas dëshirës
Përgatitja:
Kungulleshkat e njoma qërohen lehtë me thikë të dhëmbëzuar, duke u bërë disa vijëzime. Me majën e thikës u hiqet zemra nga brenda, në mënyrë që të krijohet vendi për mbushjen. Përgatitet mbushja duke bashkuar mishin e grirë me qepët, orizin gjysmë të zier, kripë, piper, kopër. Të gjitha përzihen mirë derisa të bëhen një masë homogjene. Me këtë përzierje mbushen kungulleshkat. Vendosen në një tenxhere me fund të gjerë, ngjitur me njëra-tjetrën. Sipër u vihet një pjatë për t’i mbajtur në vend. Hidhet pak ujë ose lëng mishi si dhe pak kripë, mbulohet tenxherja me kapak dhe lihen të ziejnë në zjarr të ngadaltë për 30-40 minuta. Ndërkohë përgatitet salca beshamel. Në një tenxhere kaurdiset lehtë mielli me gjalpin. Shtohet gradualisht qumështi, lëngu i kungulleshkave dhe përzihet vazhdimisht derisa salca të trashet. Hiqet nga zjarri dhe lihet të ftohet pak dhe më pas shtohen të verdhat e vezëve, pak lëng limoni, kripë dhe piper. Pasi kungulleshkat të jenë gati vendosen në pjatë, sipër mbulohen me salcën beshamel dhe spërkaten me kopër të grirë hollë.





















