Kuvendi pritet të pezullojë procesin e vettingut në polici! Në sitë të kalojnë drejtuesit e SHÇBA e më pas të vlerësohen gradat më të ulëta

22 Shkurt 2021, 13:26 | Përditesimi i fundit: 2021-02-25 11:03:57

TIRANË- Kuvendi pritet të pezullojë vettingun në policinë e shtetit. 4 deputetë të mazhorancës kanë hartuar një projektligj ku kërkojnë fillimisht të kryhet procesi i vettingut për drejtuesit e Shërbimeve të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) përpara vijimit të vettingut për gradat më të ulëta të policisë.

Diçka e tillë bëhet në mënyrë që Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit të fokusohet te vetingu i SHÇBA, strukturë që do të fusë në sitë më pas të gjithë efektivët e nivelit bazë në policinë e shtetit.Gjithashtu, ky ndryshim thuhet në projektligj do mundësonte kohën e nevojshme që institucionet e përfshira të bënin një analizë më të thelluar të këtij procesi dhe të propozonin zgjidhje për një sërë problematikash të evidentuara dhe nga partnerët ndërkombëtarë në fushën e rendit dhe sigurisë.