Zgjedhjet për kryetarin e ri të PD, Nishani: Vendimi është i imponuar dhe i pakonsultuar, duket qartë se ka një tentativë për t'u manipuluar

17 Maj 2021, 21:06 | Përditesimi i fundit: 2021-05-17 22:23:12

Vendimi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme për të zgjedhur kryetarin e ri të Partisë Demokratike, është një vendim i pakonsultuar dhe që qartazi duket se ka një tentativë për manipulim të këtij procesi. Kështu është shprehur i ftuar në emisionin '5 Pyetjet nga Babaramo' në Report Tv, kryetari i Këshillit Kombëtar në PD, Bujar Nishani.

Nishani tha se procesi për zgjedhjen e parakohshme të kryetarit është i imponuar dhe se kjo është bërë për t'i ikur përgjegjësisë reale të analizës së zgjedhjeve që solli humbjen PD.'Mbledhja e këshillit ishte e nevojshme, pas procesit zgjedhor është vendi ku mund të merren vendimet më të rëndësishme të PD. Çështjet që u vunë në diskutim ishin të pakonsultuara. Ishte me faktin vendimi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme për kryetarin e PD, duke imonuuar një proces i cili është i parakohshëm, por duket qartazi që ka një tentative manipulimi të theksuar dhe për t'i ikur përgjegjësisë reale të analizës së zgjedhjeve. PD ka dalë e humbur nga zgjedhjet e 25 prillit. Për shkak të pritshmërive që kishte PD, ka krijuar dhe ka përcjellë një situatë drame të anës psikologjike, një zhgënjim të strukturave të PD, ka sjellë një kauz brenda strukturës organizative dhe jetës së PD, ka paqartësi të plota tek opinioni publik. Ajo që duhej në këtë moment ishte që Këshilli Kombëtar duhej të ishte mbledhur të të përcaktonte objektivat emergjent të adresimit të situatës. Nuk kam komunikuar me z. Basha, ne si gjithë të tjerët mbetëm të tronditur dhe zhgënjyer nga rezultati i 25 prillit. Këshilli kombëtar duhet të adresonte një proces tek strukturat, të bëhej një analizë thellë tek strukturat e partisë.  Në këtë situatë unë e propozova dje se është e domosdoshme të relaksojmë një ngërç të madh psikologjik që ka pushtuar strukturat e PD. Akti i parë politik duhet të ishte marrja e përgjegjësisë nga drejtuesit e PD-së duke nisur me kryetarin.'- tha Nishani.