Melomakarona, biskota festive me sherbet nga zonja Albana

26 Dhjetor 2023, 12:31

Melomakarona, biskota festive me sherbet

Përbërësit:

  • 500 gr miell
  • 100 gr miell ermik
  • 1 lk pluhur pjekës
  • 200 ml lëng portokalli
  • 200 ml vaj luledielli
  • 75 ml vaj ulliri
  • 25 gr sheqer
  • ½ lugë kafeje karafil pluhur
  • ½ lugë kafeje arrë moskat
  • 1 lugë kanelle
  • Lëkura e 1 portokalli 

Për sherbetin:

  • 250 ml ujë
  • 400 gr sheqer
  • 70 gr mjaltë
  • 1 shkop kanelle
  • 3-4 karafila
  • 1 portokall

Përgatitja:

Përbërësit për biskota i përziejmë në dy tasa: miellin e grurit, pluhurin pjekës dhe miellin ermik bashkë dhe në tasin tjetër gjithë ingredientët e tjerë. Në fund i përziejmë të gjithë përbërësit bashkë dhe realizojmë një brumë të shkrifët dhe të vajosur nga jashtë (brumin nuk duhet t’a punojmë shumë me dorë). E ndajmë brumin në toptha të vegjël dhe i vendosim në letër pjekje larg njëra-tjetrës, pasi fryhen gjatë pjekjes. I vendosim në furrë në 175° për 20 minuta.

Pasi i nxjerrim nga furra i lëmë të ftohen dhe përgatisim sherbetin duke vendosur në tenxhere të gjithë përbërësit. E lëmë sherbetin të ziejë derisa të fillojë të trashet pak. Më pas e heqim nga zjarri dhe 1 nga 1 zhysim biskotat të zbuten dhe sapo njomen me sherbet i nxjerrim. Më pas i vendosim në një tepsi, shtojmë sipër arra të grira trashë dhe i spërkasim me mjaltë.