Melomakarona, biskota me arra dhe mjaltë të sherbetosura nga zonja Albana

18 Dhjetor, 11:32

Biskota me arra dhe mjaltë të sherbetosura / Melomakarona

Përbërësit:

  • 500 gr miell
  • 125 ml vaj ulliri
  • 125 ml vaj luledielli
  • 60 ml lëng portokalli
  • Lëkura e grirë e një portokalli
  • 50 gr sheqer pluhur
  • 1 lugë çaji kanellë pluhur
  • 1/2 lugë çaji sodë buke
  • 1/4 lugë çaji karafil pluhur

Për shurupin:

  • 200 ml ujë
  • 200 gr sheqer
  • 100 gr mjaltë
  • 1 shkop kanellë
  • 2 feta limon ose lëng limoni

Për zbukurim:

  • 100 gr arra të thërrmuara

Përgatitja:

Ziejmë ujin, sheqerin dhe shkopin e kanellës për 5-6 minuta. E heqim nga zjarri, shtojmë mjaltin dhe e përziejmë mirë. E lëmë shurupin të ftohet. Ndërkohë përgatisim brumin e ëmbëlsirave. Në një tas të madh, përziejmë vajin e ullirit, vajin e lulediellit, sheqerin dhe lëngun e portokallit. Shtojmë lëkurën e grirë të portokallit, kanellën, sodën e bukës dhe pluhurin e karafilit. I përziejejmë mirë. Gradualisht shtojmë miellin dhe e përziejmë derisa të formohet një brumë i butë dhe elastik. Marrim pak nga brumi, formojmë toptha të vegjël ose u japim formë ovale. I shtypim lehtë me pirun për të krijuar teksturë në sipërfaqe dhe i vendosim në tepsi të shtruar me letër pjekjeje. I pjekim në furrën e parangrohur në 180°C për rreth 20-25 minuta, derisa të marrin ngjyrë të artë. Pasi ëmbëlsirat të jenë gati, i nxjerrim nga furra dhe i zhysim menjëherë në shurup të ftohtë për disa sekonda secilën. I vendosim në një pjatancë dhe i spërkatim me arra të thërrmuara në sipërfaqe.