Mish me lakër nga zonja Albana

19 Janar, 11:46

Mish me lakër

Përbërësit:

  • 1 kg lakër e bardhë
  • 4 racione mish
  • 1 qepë mesatare
  • 2 domate të grira /1 lgj salcë
  • 4-5 lgj vaj ulliri
  • 1 gotë verë e bardhë /2 lgj uthull
  • Kripë, piper i zi
  • Pak spec djegës

Përgatitja:

Në një tenxhere kaurdisim thelat e mishit të marinuara me pak kripë, pastaj hedhim qepën e grirë imët dhe e skuqim sa të zbutet. Pasi i kthejmë disa herë shtojmë domatet e grira, salcën, piperin e zi, specin djegës dhe e lëmë sa të pijë lëngun. Heqim mishin dhe e vendosim në një pjatë. Hedhim dy gota ujë të ngrohur e më pas lakrën e grirë në copa mesatare. Shtojmë kripë, verë të bardhë ose uthullë dhe me lugë e trazojmë me kujdes derisa të zbutet pak lakra. Shikojmë nivelin e lëngut të gjellës, që duhet të jetë i barabartë me lakrën. Kontrollojmë shijen e kripës (kujdesemi për kripën, sepse lëngu do të pakësohet gjatë zierjes, prandaj të mos e teprojmë). Përsipër vendosim thelat e mishit dhe e mbyllim tenxheren duke e lënë të ziejë në zjarr mesatar afërsisht 45-50 minuta, derisa të jetë tretur dhe të ketë mbetur me pak lëng.