Musaka verore me patate dhe mish të grirë nga zonja Albana

16 Qershor 2023, 12:12

Musaka verore me patate dhe mish të grirë

Përbërësit:

  • 4-5 patate
  • 1 qepë
  • 250 gr mish i grirë
  • 1 spec i kuq
  • 3 lgj misër
  • 5 lgj salcë domate
  • 1 lgj koncentrat domate
  • 1 tufë majdanoz
  • 3 lgj miell
  • 3 lgj gjalpë
  • 500 ml qumësht
  • 2 vezë
  • 250 gr djathë kaçkavall
  • Arrë moskat
  • Kripë, piper, kumin

Përgatitja:

Fillimisht ziejmë patatet në ujë të bollshëm me kripë. Më pas i presim në kubikë dhe i shtrojmë në një tavë të lyer me gjalpë.

Mishin e grirë e kaurdisim në një tigan me yndyrë së bashku me qepën e grirë imët dhe me pak kripë. Shtojmë pak buljon/ujë, specin e grirë në kubikë dhe misrat e konservuar. Vazhdojmë kaurdisjen derisa mishi i grirë të kokrrizohet, më pas shtojmë domatet pelte dhe koncentratin. Rregullojmë shijen me kripë dhe erëza dhe e vendosim kimën mbi shtresën e patateve.  

Në një tigan tjetër kaurdisim miellin me gjalpin. Sapo mielli të ndryshojë pak ngjyrë e shuajmë me qumështin dhe e trazojmë derisa të lidhet. Në fund shtojmë vezët dhe arrën moskat. Hedhim beshamelin mbi kimën, e spërkasim me djathë të grirë dhe e vendosim tavën në furrë të nxehtë në temperaturën 200°C për 40 minuta.