Nënë e bir të shpallur në kërkim ndërkombëtar/Mbërrin foto në ’Pa Gjurmë’

12 Shkurt 2021, 18:29 | Përditesimi i fundit: 2021-02-12 20:53:55

Ka kaluar mbi një vit nga zhdukja e Bledi Zefit, të miturit që humbi gjurmët bashkë me nënën e tij Mirela Zefin në gusht të 2019 pasi u larguan nga Amerika, por që nga kërkimet e familjarëve u zbulua nga sistemi TIMS se 35-vjecarja bashkë me djalin 9-vjeçar kishin hyrë në Shqipëri. Që nga ai moment pista e kërkimeve u përqëndrua brenda territorit shqiptar, kjo nisur edhe nga informacionet që kanë mbërritur në redaksinë e emisionit ’Pa Gjurmë’ se Mirela bashkë me djalin e saj ishin strehuar përgjatë muajve të verës në një banesë me qira në zonën e njohur si Çezma e Ferrës në Durrës. Por me rikthimin e kësaj historie herë pas here, të tjera dëshmi zhvendosën vendndodhjen e nënë e bir në qytetin e Shkodrës. Aty ku sërish nuk u gjetën gjurmë të tyre. Gjatë transmetimit live të datës 19 janar, të tjera dëshmi ndryshuan sërish vektorin, duke na drejtuar në Tiranë. Nga një telefonatë live në studio dyshohet se është parë në kamëz më 10 janar ndërsa është identifikuar nga një varëse identike si në një nga fotot e bëra publike. Vërshimi i një lumi telefonatash që mbërritën në program flasin për vendodhjen e Bledi dhe Mirela Zefit sërish në qytetin e Durrësit, ku dyshohet se fshihen. Stafi ’Pa Gjurmë’ po bën të pamundurën të bie ne gjurmët e dy të humburve. Babai i 9-vjecarit nga Amerika vë në dispozicion një shumë prej 5000 dollarësh për këdo që jep informacionin e saktë për vendndodhjen e të birit. Më herët, në studio apel për ndihmë kanë bërë edhe dy gjyshërit, në kërkim të nipit dhe nënës së tij. Mirela Zefi krejt papritur u largua nga banesa e saj në Amerikë bashkë me të birin më 19 korrik të vitit 2019. Fillimisht mori një banesë me qera, pa i dhënë asnjë shpjegim bashkëshortit të saj Marin Zefit. Por fill pasi u njoftua nga gjykata për t’u paraqitur me datë 22 gusht të vitit 2019 lidhur me kujdestarinë që kishte kërkuar bashkëshorti ndaj fëmijës, Mirela merr djalin dhe largohet menjëherë, një javë para se të zhvillohej seanca gjyqësore. Për afro 2 vite gjendja shëndetësore e Mirelës nuk ishte e mirë pasi kishte shfaqur probleme të theksuara psikologjike dhe frikën se dikush do t’i rrëmbente djalin, ndërsa sot rezulton e humbur bashkë me të.