‘Njerku i dinte emrat që rrëmbyen motrën, vdiq në heshtje’ / Murgesha në kërkim të motrës Flora Brunga

23 Mars 2021, 17:41

Atë shtator nuk do të ulej në bankat e shkollës si gjithë bashkëmoshatarët, por kishte vendosur të ndryshonte fatin e saj. Lezhjania 14-vjeçare mori një tjetër drejtim për jetën, që ditën kur u largua nga banesa në fshatin Krajen, bashkë me tre persona të tjerë më 1 shtator të vitit 1996. Historia e zhdukjes së Flora Brungës mbetet ende e veshur me mister. Dy burra dhe një vajzë u paraqitën në familje, si të paftuar, por pasi drekuan në familjen Brunga u larguan bashkë me të miturën. Këtë histori vjen ta rrëfejë në emisionin ’Pa Gjurmë’, në Report TV motër Vera, e cila nuk është vetëm një misionare në shërbim të Zotit, por është edhe motra nga nëna e Florës, e cila ka vite që kërkon të vërtetën për të. Ajo dëshiron të denoncojë këtë rast me kërkesë të nënës së tyre, një 76-vjeçare që jeton me brenga të thella në zemër.