Pa Gjurme i rikthen identitetin ish ushtarakut endacak, historia rrënqethëse e Dashamir Serrit

18 Prill 2021, 11:09 | Përditesimi i fundit: 2021-04-18 11:13:39

Ky është Dashamir Serri, një ish-ushtarak nga Tirana, i cili prej 18 vitesh i shtyn ditët dhe netët, sa në një banesë në një tjetër, pa mundur dot të sigurojë një strehë të përhershme. 76-vjecari nuk ka askënd ku mund të mbështetet dhe prej muajsh bën jetën e një endacaku. Një i moshuar që zgjodhi të mos martohej kurrë, jeta e tij mori një tjetër kthesë, kur në vitin 2002, mbeti mes katër rrugëve, pas një konflikti për çeshtje prone, që pati me të vëllanë. Ky i fundit pervetëson të vetmen banesë të trashëguar nga prindërit. I moshuari rrëfen mes lotësh dramën e jetës dhe brengën shpirtërore që e mundon prej vitesh.

Dikur i kalonte ditët mbi libra, në bibliotekë, por sot rituali i jetës së Dashamirit është kjo pamje e tij e trishtë. E gjejmë të ulur në një stol pranë Kullës së Sahatit në Tiranë, krejt të vetmuar. Pa miq dhe pa të afërm, shpesh netët e ftohta të dimrit i ka ngrysur në qoshet e rrugëve, i vetëm, ndriçuar nga neonët që qartësojnë edhe më shumë pamjen e tij të trishtë.

76-vjeçari tregon se nuk do ta kishte imagjinuar kurrë më parë se do të përfundonte kështu. Ai ka mbaruar studimet e larta në Akademinë Ushtarake dhe ka punuar si oficer për pak vite. Nuk e ka të lehtë të pranojë këtë fat, por shëndeti i tij i dobët nuk i premton kohë për ta rimarrë veten.