'Pa Gjurmë' zbulon skenarin tronditës/ Si kërcënohen emigrantët nga Indonezia drejt Australisë: Na jepni paratë ose hidhuni në det

7 Tetor 2019, 19:42 | Përditesimi i fundit: 2019-10-09 22:42:17

TIRANË- Emisioni 'Pa Gjurmë' në Report Tv ka zbuluar fakte tronditëse nga rrjeti i transportimit të emigrantëve nga Indonezia drejt Australisë. Pas arrestimit të Luan Bundos, administratorit të agjencisë e cila i mori 13 mijë Euro një 32-vjeçari i cili humbi më pas kontaktet me familjarët, Pa Gjurmë ka siguruar dëshminë e një emigranti i cili aktualisht jeton në një kamp të Australisë. Ai tregon gjatë një lidhje telefonike se shumë emigrantë mund të vriten në det të hapur, disa prej tyre u merren paratë e më pas hidhen në det nga indonezianët.

"Unë kam një fakt nga viti 2014, ca kushërinjtë e mi kanë ardhur këtu, kanë mbërritur në Australi dhe janë nisur nga Indonezia. Fakti që ai është nisur nga Indonezia është shumë dyshues, se ky kushëriri im thotë kanë qenë tre veta që kanë ardhur këtu dhe një moment kur kanë shkuar në det që kanë ndenjur pak shumë. Ato personat kanë qenë të armatosur dhe i kanë vënë armën dhe i kanë thënë: në ujë. Njëri prej shqiptarëve ka pasur një thikë me vete dhe ia ka vënë thikën njëri prej atyre dhe i ka thënë: ose te gjithë në ujë ose dalim të gjithë jashtë. Pastaj kanë vazhduar derisa ka ardhur policia australiane dhe i ka kapur, janë dorëzuar në polici, kanë mbërritur në një kamp në Australi. Australia është shtet liberal dhe nuk mund t'i bëjë ato gjëra ti mbaj nëpër kampe, mos me treguar apo me i shfrytëzuar, nuk ndodh kurrë. Këtu ka njerëz që janë nëpër kampe këtu, që janë prej 7 vitesh, 10 vitesh. Nuk është së i ndalohen të drejtat për ti dhënë një mesazh, një telefonatë familjes, këtu ato që i mbajnë nëpër kampe i trajtojnë shumë mirë edhe i nxjerrin jashtë, i shëtisin dhe nuk e ndalojnë askënd të kthehet në Shqipëri. Por fakti që Mensuri ka qenë i vetëm kur është nisur shpresat janë të pakta, ata mund t'i kenë marrë paratë. Edhe në atë kohë që ka ardhur ai në 2014 ka qenë një kohë që kush shkonte nëpër kampe nuk dilte më me dokumente jashtë. Para 2014 dilnin me letra, të rregullta", tregon emigranti.

"Në momentin që shkoi vëllai, u informuam se vendi ku po shkonte vëllai po mbylleshin kampet. Më pas na tha Luani se vëllai është marrë nga policia në Australi. Është një zonë neutrale mes Zelandës së Re dhe Australisë. Ku paguhet se të mbahen klandestinët. Kemi një dyshim se edhe vëllai mund të jetë aty. E kam në telefon videon se si trajtohen emigrantët. Në rrjetet sociale kam zbuluar se ai jeton në Indonezi. Në agjencinë e tij ai nuk ka asnjë. Agjencia ka një letër aty të dera." ka thënë vëllai i Mensur Prencit në Pa Gjurmë. 

Nga hetimet ka rezultuar se linja e ndjekur nga i arrestuari Luan Bundo ka qenë nëpërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, ku klandestinët, pajiseshin me vizë indoneziane për arsye turistike. Nga Indonezia linja vijonte në ishullin Kupang të Singaporit, ku nëpërmjet dy indionezianëve dërgoheshin për në Australi.

Sipas familjarëve të Prençit, kontakti i fundit me 32-vjeçarin ka qenë gjatë kohës që qëndronte në ishullin Kupang në pritje për t’u nisur drejt Australisë. Pas këtij momenti i pandehuri Luan Bundo është kthyer në Shqipëri dhe i ka komunikuar familjarëve të Prençit se djali i tyre kishte mbërritur në një kamp refugjatësh në Darëin të Australisë.

Lidhur me këtë ngjarje Luan ështe dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit”. Policia njofton se Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Madridin po vijojnë proceduarat për ekstradimin e 62-vjeçarit drejt Shqipërisë.