Perime stine të mbushura
Përbërësit:
- 2 speca
- 2 domate
- 1 patëllxhan
- 1 kungull
- 2 thelpinj hudhër
- 1 qepë e thatë
- 1 filxhan çaji vaj
- 2 filxhanë çaji oriz
- 1 tufë nenexhik
- 1 tufë majdanoz
- 500 gr salcë domate
- Kripë, piper
Përgatitja:
Pastrojmë specat nga farat, domateve u heqim pjesën e farave, ndërsa 1 patëllxhan e ndajmë në mes dhe largojmë pjesën e brendshme të tulit. Pjesën e tultë të domates që hoqëm e vendosim në një blender dhe e kthejmë në salcë. Në një tigan me vaj ulliri kaurdisim qepën e grirë imët së bashku me 2 thelpinj hudhër. Më pas shtojmë tulin e patëllxhanit të prerë në kubikë si dhe një kungull. Vazhdojmë kaurdisjen duke e ndihmuar me pak kripë dhe piper. Shtojmë më pas orizin dhe sapo të fitojë nxehtësi hedhim salcën e domates. E lemë salcën të marrë valë dhe të lidhet pak dhe në fund shtojmë bimët aromatike, kripë e piper. Me masën e përgatitur mbushim perimet. Pjesën e domateve që e kthyem në salcë e trazojmë me pak vaj ulliri, kripë dhe piper dhe e shtojmë mbi perimet e mbushura. Sipas dëshirës mund të vendosim dhe një patate në feta në hapësirat mes perimeve. E mbulojmë tavën me letër pjekje ose alumini dhe e vendosim në furrë në temperaturën 180 gradë për 40 minuta. Pas këtij minutazhi largojmë letrën e aluminit dhe e rivendosim tavën në furrë dhe për 20 minuta të tjera.