Pispili me presh sipas traditës korçare nga amvisa Dhurata Dino

28 Tetor, 11:57

Pispili me presh

Përbërësit:

  • 500 gr miell misri
  • 1 kg presh
  • 2 vezë
  • 100 gr gjizë ose djathë
  • 1 gotë qumësht
  • 1 gotë kos
  • Vaj ulliri
  • Kripë, piper

Përgatitja:

Fillimisht përgatisim mbushjen e pispilisë. Kaurdisim preshin mirë, e rregullojmë me kripë e piper dhe e lëmë të ftohet. Ndërkohë përgatisim brumin e pispilisë, i cili duhet të jetë një masë homogjene e rrjedhshme, jo e fortë. Hedhim në një tas miellin e misrit, pak vaj ulliri dhe ujë. E trazojmë mirë dhe e shtrojmë brumin duke e hapur me duar në të gjithë hapësirën e tavës, të cilën e kemi lyer me pak vaj. Tek preshi i kaurdisur shtojmë vezët, kosin dhe djathin e thërrmuar. E vendosim mbushjen mbi petën e misrit që kemi hapur në tavë dhe e nivelojmë mirë. Trazojmë në një tas pak qumësht, pak kos dhe pak miell misri. E përziejmë mirë dhe e shtojmë mbi pispilinë, të cilën e vendosim të piqet në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius derisa të marrë një ngjyrë të bukur në sipërfaqe.