Pite me kimë
Përbërësit:
- 500 gr miell
- 1 filxhan çaji qumësht
- 1/2 filxhan çaji ujë
- 1 filxhan kafeje vaj
- 20 gr maja
- 1 lugë kafeje kripë
- 1 lugë kafeje sheqer
- Për kimën:
- 250 gr mish i grirë
- 1 qepë
- 1 spec
- 1 domate e madhe
- 3-4 lugë vaj
- Kripë, piper i zi
- Piper i kuq
- Djathë kaçkavall
- Majdanoz
Përgatitja:
Përgatisim brumin e piteve me qumësht, ujë të vakët, maja, vaj, kripë dhe pak sheqer. E punojmë mirë derisa të na formohet një brumë i butë. E mbulojmë dhe e lëmë të pushojë për rreth 1 orë. Më tej përgatisim kimën. Në një tigan hedhim vajin. Skuqim qepën e grirë imët, shtojmë mishin e grirë, duke e kaurdisur pak e më pas skuqim specin dhe domaten e grirë në kubikë. I hedhim kripë, piper të zi dhe të kuq. Pasi të ketë marrë shijen e duhur, gjellën e heqim nga zjarri. Brumin e ndajmë në 8 kulaçe, të cilat i hapim në formë rrethore, afërsisht 25 cm dhe mbi to hedhim kimën, pak djathë të grirë dhe pak majdanoz të grirë. Anët e piteve i kthejmë pak, që të mos derdhet kima kur të piqen. I vendosim në një tavë dhe i fusim në furrë për t'u pjekur, në 180 gradë për 20 minuta. Pitet mund edhe t'i skuqim në një tigan dhe më pas i hedhim kimën.