Në Fier janë numëruar deri më tani 524 nga 588 kuti në total. PS kryeson bindshëm në këtë qark, dhe sipas të dhënave të fundit, ka marrë 89 297 vota, 62.8%, duke shënuar një diferencë të thellë me koalicionin e Sali Berishës. Në këto ritme, socialistët sigurojnë 12 mandate, duke i marrë 3 PD-së nga zgjedhjet e 2021.
PD-ASHM ka marrë deri më tani 36 235 vota, 25.5% që do të përkthehej në 4 mandate nga 7 që kishte 4 vite më parë. E treta renditet Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet e Lapajt me 4.8% të votave, ndjekur nga partia Mundësia e Shehajt me 2.4%, PSD e Tom Doshit me 1.4%, Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit me 1% të votave.
Deri më tani 0.9% të votave ka marrë koalicioni Djathtas për Zhvillim. 0.7% ka marrë koalicioni i Lulzim Bashës.
Ndërkohë sipas të dhënave të fundit, ka përfunduar numërimi në Lushnje. Sipas rezultatave, PS ka triumfuar me 26 740 vota, kundrejt PD-së që ka marrë 10 614. Nisma Shqipëria bëhet ka marrë 1940, Mundësia e Agron Shehajt 905 ndërsa të pavlefshme janë shpallur 1582 fletë votimi.
















