Pulë e mbushur /Sekretet e marinimit dhe mbushjes perfekte nga zonja Albana

25 Dhjetor, 11:42

Pulë e mbushur

Përbërësit:

  • 1 pulë e madhe
  • 3-4 thelpinj hudhër
  • Lëngu i një limoni
  • Kripë, piper i zi
  • Rozmarinë e freskët
  • Vaj ulliri ose gjalpë i shkrirë
  •  
  • Për mbushjen:
  • 200 gr bukë e thërrmuar
  • 150 gr mish i grirë (mish viçi ose suxhuk)
  • 1 qepë e madhe
  • 2 thelpinj hudhër
  • 100 gr arra të grira
  • 100 gr rrush i thatë
  • 1 mollë
  • 1 vezë
  • Kripë, piper, trumzë, rigon

Përgatitja:

Në një tigan skuqim qepën dhe hudhrën me vaj ulliri derisa të zbuten. Shtojmë mishin e grirë dhe e skuqim derisa të marrë ngjyrë. Shtojmë arrat, rrushin e thatë dhe mollën. E përziejmë dhe e lëmë 3-4 minuta. Fikim zjarrin dhe shtojmë bukën e thërrmuar, vezën dhe erëzat. E përziejmë mirë masën e mbushjes dhe e lëmë të ftohet. Ndërkohë në një enë përziejmë lëngun e limonit, hudhrën e grirë, vajin ose gjalpin dhe erëzat dhe lyejmë mirë pulën nga jashtë dhe brenda. Mbushim pulën me masën e përgatitur, lidhim këmbët e pulës me spango kuzhine dhe e vendosim në një tavë. Shtojmë pak ujë ose lëng pule në tavë për të shmangur djegien. E pjekim në 180°C për rreth 2 orë (në varësi të peshës së pulës). E kontrollojmë herë pas here duke e lyer me lëngun e saj që të mos thahet dhe të marrë një ngjyrë të bukur gjatë pjekjes.