Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës ku mbajti takim me kandidatët për deputetë të qarkut Durrës për Partinë Socialiste, teksa preku edhe temën e drejtësisë dhe reformës.
Ai ofroi të gjithë mbështetjen e qeverisë për drejtësinë e re, pavarësisht kritikave, duke kujtuar se me paraardhësit prokurorët ishin përsëri aty, por nuk guxoni dot të vepronin. Kujtoi vrasjet e 21 janarit në bulevard dhe pengimin e ekzekutimit të urdhrave të Prokurorisë nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe pafuqishmërinë e Drejtësisë për të vepruar, teksa e krahasoi me ditët e sotme, ku zyrtarë të lartë shkojnë e japin llogari në SPAK.
Dhe këtë sipas kreut të qeverisë, e solli dhe bëri të mundur Partia Socialiste.
“Kjo histori nuk duhet të jetë hajdut, hajdut! Ne duhet të jemi krenarë. Krenarë për faktin se ne ndjejmë dhimbje për dikë që sot është në dorë të historisë. Por nuk ka pasur kurrrë drejtësi, s’ka pasur kurrë ministër të merrej nga drejtësia. U vranë 4 vetë në bulevard dhe s’u pyet njeri, jo vetëm kaq, por u refuzua, u refuzua me urdhër të vetë kryeministrit zbatimi i urdhrave. U refuzua urdhri i prokurorit, i thanë ik andej! E kuptoni ju çfarë është bërë me drejtësinë dhe ku kemi qenë. Sot shkojnë të gjithë merren në pyetje.
Sot jemi në nivel tjetër, nuk është punë gurësh, u prishën ca gurë atje dhe hajt iku. E kemi bërë ne. Ata e thonë copë, më 12 maj do shkrijmë SPAK-un”, tha kreu i qeverisë.