Receta e ditës - Byrek trekëndësh me lakër e djathë dhe supë me shije e ngjyrë pice / Pjesa e parë

25 Shkurt 2020, 13:25

Byrek trekëndësh me lakër dhe djathë

Përbërësit:

1 petë sfoliatë

1/2 lakër e bardhë mesatare

1 qepë

2- 3 karrota (mesatare)

1 spec pikant

3 lugë gjelle uthull vere

1 degë selino (me gjethe)

70 ml vaj

200 gr djathë i bardhë

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja:

Në një tigan me pak vaj kaurdisim qepën të grirë hollë dhe shtojmë lakrën e grirë.  E përziejmë së bashku derisa lakra të ulë volumin e saj. Rregullojmë shijen me kripë. Grijmë karrotat hollë dhe i shtojmë te lakra, shtojmë pak spec pikant, vazhdojmë përzierjen dhe në fund shtojmë selinonë të prerë hollë bashkë me gjethet e saj.

E lëmë për pak minuta në zjarr dhe më pas e shuajmë me 3 lugë gjelle uthull vere.  E largojmë tiganin dhe transferojmë perimet gjysmë të gatuara në një enë që të ftohen.

Shtojmë djathin e thërrmuar, piperin e zi dhe e përziejmë mbushjen duke e lënë mënjëanë.

Petën sfoljatë e hapim pak fare, e presim në katrorë me brinjë 12-15 cm. Vendosim nga një lugë mbushje në qendër të cdo katrori, bashkojmë copqat duke I lagur pak me ujë dhe duke I shtypur me pirun.

Kështu formojmë trekëndëshat. Një variant tjetër i po këtij byreku është forma e një strudeli  të mbushur me lakër, perime dhe djathë. E pjekim në temperaturë 200 gradë Celsius, për 15-20 minuta.