Receta e ditës - Pastiçe me djathë e beshamel dhe fërgesë me patëllxhanë / Pjesa e parë

18 Nëntor 2019, 13:41

Pastiçe me djathë dhe beshamel

Përbërësit:

400 gr makarona

4 kokrra vezë

200 gr djathë i bardhë

1 litër qumësht

Kripë

Gjalp

2 lugë gjelle vaj ulliri

Beshameli

50 gr gjalp

2 lugë gjelle miell

400 ml qumësht

Kripë

Arrëmoskat

50 gr djathë kaçkavall

Përgatitja:

Vendosim një tenxhere me ujë të bollshëm për të valuar. Shtojmë kripën dhe më pas makaronat. I lëmë të ziejnë për 2-3 minuta më pak nga minutazhi i shkruar në etiketë.

Ndërkohë në një tigan shkrijmë gjalpin dhe kavardisim miellin derisa të ziejë në gjalp. E shuajmë me qumësht duke e trazuar me tel derisa beshameli të ziejë. E largojmë dhe e rregullojmë shijen me kripë dhe arrëmoskat.

Rrahim vezët, shtojmë 2 lugë gjelle vaj ulliri, qumështin, djathin dhe kripën. Lyejmë tepsinë me gjalp, kullojmë dhe vendosim makaronat në tavë duke i niveluar ato në të gjithë sipërfaqen. Shtojmë mbi makaronat qumështin me vezë dhe djathë, rregullojmë dhe nivelojmë djathin duke shtuar sipër beshamelin.

Grijmë në fund pak djathë kaçkavall dhe e vendosim në furrë në temperaturë 200 gradë Celsius, për 25 minuta.