Refuzoi ‘kapon e drogës’ për ngarkesën, zbulohet e vërteta e zhdukjes së Armond Ndrecës (6.7.22)

6 Korrik 2022, 17:57

Episodi i një ngjarje të rëndë që ndodhi lart në mal, pranë një Manastiri, mes Sarandës dhe Gjirokastrës, por edhe telefonata e papritur që bëri me nënën një javë pas zhdukjes, ngre dyshime të mëdha për fatin e 36-vjeçarit Armond Ndreca nga Repsi i Mirditës. Historia e të riut erdhi e rrëfyer nga nëna e tij Dava Ndreca në emisionin ’’Pa gjurmë’’. Dyshimet se u fut në rrjetin e drogës hodhi dritë mbi ngjarjen që ndodhi në vitin 2005, kur sipas dëshmive pasi i riu refuzoi të trasportonte lëndën narkotike u qëllua me qytën e armës në këmbë dhe kokë nga kapo i grupit. Pas ngjarjes humbi cdo gjurmë e Armondit, i cili ndërpreu kontaktet me familjen që pas telefonatës së fundit që bëri një javë pasi u largua nga shtëpia, më 3 nëntor të vitit 2005, me destinacion Greqinë. Armondi doli nga shtëpia në Lezhë, ndërsa i kërkoi para familjes me pretendimin se do të nisej drejt shtetit grek bashkë me dy shokë të tjerë. Bëri gati çantën me sendet personale dhe u nis me 10 mijë lekë në xhep. Dy shokët më të cilët iku pasditen e 3 nëntorit, u kthyen në familje, madje një javë më pas njëri prej tyre solli në familje telefonin e Armondit, ndërsa u komunikoi familjarëve se pasi ishin kthyer nga policia në kufi kishte qëndruar në Sarandë, për të punuar dhe do të nisej sërish drejt tokës helene. Dyshimet e familjes se një nip i fisit e futi në rrjetin e drogës ngre një tjetër pistë, atë të një eliminimi të mundshëm fizik për pazare droge. Një javë pas humbjes së të birit nënën e njofton një telefonatë anonime, se ai ndodhej në Athinë të Greqisë. I denoncuar si i humbur në policinë e Lezhës, sot nuk ka ende asnjë gjurmë për djalin nga Mirdita.