Rigonla/Mish viçi me salcë domate dhe gjalpë nga zonja Albana

18 Qershor, 11:43

Rigonla - Mish viçi me salcë domate dhe gjalpë

Përbërësit:

  • 700 gr mish viçi tul
  • 1 qepë mesatare
  • 2 kokrra domate
  • 3 lgj gjalpë të tretur
  • 1 lugë e gjysmë miell
  • 1 filxhan vaj ulliri
  • Pak piper të zi
  • Pak piper të kuq
  • Kripë, rigon

Përgatitja:

Në një tenxhere ngrohim vajin e ullirit dhe shtojmë 2 lugë gjalpë. Pasi gjalpi zë e shkrihet hedhim qepën e grirë në rende. E përziejmë me lugë druri derisa qepa zverdhet. Në këtë kohë hedhim mishin e viçit tul të prerë në copa të vogla. Pasi mishi ka filluar që të skuqet e shuajmë me domate të grirë në rende. Shtojmë kripë, piper të e zi e të kuq. I përziejmë mirë dhe I shtojmë ujë derisa të mbulohet mishi. E lëmë në zjarr të ngadaltë derisa të ziejë mishi. Në një tigan hedhim pjesën tjetër të gjalpit. E lëmë të shkrihet dhe i hedhim lugën e miellit. Kur mielli ka marrë ngjyrën e floririt i hedhim pak ujë dhe e tretim mirë. Masën e përftuar e hedhim në tenxheren me mish me lëng. I lëmë të ziejnë në zjarr të ngadaltë derisa mishi të jetë zier tërësisht. Pesë minuta para se ta heqim nga zjarri i shtojmë rigonin.