Ajo është e para dhe e vetmja lahutare, që përcjell një traditë të herëshme të folklorit shqiptar. Me prejardhje nga Shkreli i Malësisë së Madhe, Lumturije Nonaj është mbesa e lahutarit të njohur Gjokë Nonaj, i cili nuk i’u nda lahutës deri në moshën 107-vjeçare, kur edhe ndërroi jetë. Krahas lahutës, Lumturija përdor edhe 12 instrumente të tjera të folklorit popullor të trevës Veriore të Shqipërisë por lahuta, thotë ajo, është mbretëresha e të gjitha veglave muzikore. “Mbi lahutën nuk vë asgja. Kjo është mbretëresha e të gjitha veglave dhe, me të, edhe atdheu ynë do të ketë merita shumë të mëdhaja. Sepse, me lahutë i këndohet trimërisë, i këndohet legjendave”.
Lahuta është një dëshmi e lashtë kulturore dhe këngët e shoqëruara me lahutë përgjithësisht ngrenë lart traditën, frymën epike dhe historike ndër shekuj, bashkë me eposin e kreshnikëve. Ndaj, lahutarja Lumturije Nonaj thotë se duhet t’a ruajmë këtë traditë të pasur kombëtare për t’a përcjellë ndër brezat e rinj.