Trafikon kushërirën, zhduket e reja nga Italia/ Familja: Ku e shite motrën tonë ?

15 Shkurt 2021, 18:09

#pagjurme #odetadume #reportTV Emisionin "Pa gjurmë" me moderatore Odeta Dume mund ta ndiqni çdo të hënë, të martë, të premte në orën 16:55 dhe çdo të enjte në orën 20:55 në ekranin e Report Tv Mbaresa Kumbria, nga Kuçova është vajza e katër në familjen më 7 fëmijë. Vendosën ta quanin kështu prindërit, duke menduar se do të ishte fëmija i tyre i fundit, por pas mbaresës erdhën në jetë dhe 3 fëmijë të tjerë. Mbaresa nuk ishte e fundit nga fëmijët, por ajo që pati një fat të ndryshëm nga të tjerët. Me Mbaresën nuk mbaroi por filloi një dhembje pafund.Një plagë në familjen Kumbria, veçanërisht për dy prindërit Refat e Zylfie. Ishin vitet e para të demokracisë, kur Mbaresën e gjetën ende një adoleshente. Në vitin e parë të shkollës së mesme, për shkak të pamundësisë ekonomike, ajo la shkollën në mes për tju bërë krah familjes në nevojat jetike. Ishte koha kur bashkëshorti i hallës së saj, i prezanton nipin e tij Astritin nga Elbasani, djali me të cilin Mbaresa vendos të fejohet. Atë kohë Astriti punonte me sezone në shtetin grek si emigrant.2 vite më pas kur Mbaresa ende nuk e kishte finalizuar këtë marrëdhënie në martesë, ende një vajzë shumë e re, rastësisht njihet me një tjetër person në vitin 1996. Kësaj here ishte kushëriri i saj i parë, nga fshati Lapardha i Beratit, ai i cili këmbënguli që Mbaresa të njihej me Fidelin. Gjërat ndodhën shumë shpejt, ndërsa Mbaresa vendosi të takohej me Fidelin në Kucovë, për ta takuar fshehurazi familjes, por e shoqëruar nga kushëriri i saj. Askush nuk di ta thotë me siguri se cfarë e bëri Mbaresën që ti mbushej mendja, kur pasi bëri gati valixhen, bashkë me Fidelin dhe kushëririn e saj Lulëzimin në niseshin të tre sëbashku më 30 prill drejt Italisë.Një javë para se të mbushte 20 vjec, ajo mori një vendim të vështirë për jetën e saj, ndërsa vendosi të prishte fejesën dhe të merrte një tjetër drejtim. Por dikush i pikasi kur u larguan. Një fqinj e pa Mbaresën kur doli nga shtëpia me valixhe në dorë, ndërsa hipi në një makinë të zezë ku e prisnin dy djemtë. Ajo kishte shkuar më pas më shtëpinë e hallës së saj në Lapardha të Beratit dhe nga andej bashkë me kushëririn Lulëzimin dhe me Fidelin kishte marrë drejtimin për në Vlorë. Pavarësisht premtimit se Lulëzimi do ta shoqëronte në Itali, në skaf hipi vetëm Mbaresa dhe Fideli. Kjo ngriti dyshimin e madh dhe frikën e një drejtimi që për Mbaresën nuk dihet ende sot.Pas largimit nga shtëpia të së bijës Refati bën denoncimin në polici. Me të mësuar se arsyet e largimit fshiheshin dy djemtë ai vendos të denoncojë Lulëzimin dhe Fidelin. Asnjëri prej tyre nuk pranoi përgjegjësinë ndërsa Fideli i marrë në pyejtje dëshmoi se Mbaresa i kishte ikur nga duart.Dy javë më pas mbaresa telefonon nga Italia. Ajo flet me të atin duke qarë: “Jam mirë dhe mos u bëni merak”. Kaluan ditë nga kjo telefonatë dhe Mbaresa merr përsëri në telefon, pyet për motrat dhe vëllezërit dhe më pas e njëjta fjali: “Jam mirë dhe mos u bëni merak”. Rasti është bërë publik edhe në emision e njohur italian ’’Chi la visto’’, emision nga i cili u arrit të lokalizohej një vendndodhje e mundshme e e Mbaresës që sot është 43 vjece, me gjasa se jetonte në Bergamo të Italisë. Një dëshmitare pretendonte se kishte jetuar me të në të njëjtin hotel. Sot ende për Mbaresën nuk ka asnjë gjurmë. Ajo ende mungon në familjen Kumbria.