Trafikuan 27 mln € kokainë me mafien 'Ndragheta'! Ngarkesat e kokainës fshihen brenda kontejnerëve

26 Nëntor, 09:52 | Përditesimi: 27 Nëntor, 17:03

Gjashtë shqiptarë janë në mesin e 28 të arrestuarve gjatë operacionit me urdhër të Prokurorisë Publike të Milanos kundër një rrjeti të gjerë të trafikut të drogës nga Amerika e Jugut. Në pranga u vunë 28 persona, 25 prej të cilëve u dha masa e arrestit në burg, ndërsa për 3 të tjerë në arrest shtëpie. Shqiptarët e përfshirë janë Marjus AliuElvis Aliu, Fatjon Aliu, Ervin BashmetaKujtim Daiu dhe Artur Hoxhosmani, nga Kavaja e Burreli, për të gjithë është vendosur masa 'arrest në burg'. 

Elvis, Marjus dhe Fatjon Aliu janë nga Kavaja, ndërsa Artur Hoxhosmani nga Burreli. Të arrestuarit shqiptarë lëviznin me Lamborghini në Milano e flinin në hotele luksi tip Armani Hotel etj.  Artur Hoxohosmani rezulton i arrestuar në Shqipëri me urdhër të SPAK si i përfshirë në grupin e Plaurent Dervishajt, Erion Alibejt dhe bosit të Cinco-s, Ermir Ndrejaj, të akuzuar për trafikun e 6 ton kokainë me vlerë 411 milionë euro. Ndërsa emri i Marjus Aliut del në ngjarje të ndodhur në korrik të vitit 2019, ku pas një përplasjeje mes dy grupeve kriminale, mbeti i vrarë një kalimtar në rrugë. 

Të arrestuarit i përkasin një organizate kriminale të lidhur me Ndrangheta-n e Lokridës, e cila, bashkë me shqiptarët, organizuan dhe financuan trafikun ndërkombëtare të drogës. Midis tyre është një shtetas kinez, i akuzuar për pastrim parash, i cili lehtësoi pagesat e drogës përmes sistemit informal të transferimit "fei ch'ien". Hetimi u krye kryesisht nëpërmjet analizës së bisedave në SkyEcc, dhe zbuloi një trekëndësh kompleks të bashkëpunimit midis kriminelëve nga Kalabria, Lombardia dhe Kampania.

I.M/Shqiptarja.com