U gjet pas 22 vitesh, nëna rrëfen emocionet e takimit të parë: Vajzën e kishin trafikuar dhe keqtrajtuar, sa edhe mbiemrin nuk e mbante mend

28 Shtator 2020, 17:35

U duk e pabesueshme për familjarët, por jo vetëm edhe për publikun, kur në janar të këtij viti emisioni ’’Pa Gjurmë" në Report TV dha lajmin e shumëpritur për gjetjen e Teuta Rrahmanit, zhdukur për 22 vite. Teuta vendosi të rilidhte kontaktet me familjarët, kur përmes një telefonate live përcolli emocione të papërshkrueshme. Pas këtij lajmi të mirë prindërit Milazim dhe Gëzime udhëtuan nga Shqipëria drejt Holandës për t’u takuar me të bijën. Lajmi për gjetjen e vajzës që u zhduk 14 vjece, preku zemrat e të gjithëve ne. Të njëjtat emocione i risollëm edhe këtë hënë, kur ’Pa gjurmë’ shfaqi për herë të parë fotot, nga ky takim i përmallueshëm, të prindërve me vetë 36-vjecaren Teuta Rrahmani. Që nga pritja në aeroport e deri tek qëndrimi i gjatë duke shuar mallin ndër vite. Ata u pritën në shtëpinë ku 36-vjecarja jeton me bashkëshortin, një shtetas holandez dhe dy fëmijët e saj. E ftuar në studio, nëna e saj përcolli emocionet e përjetuara dhe të ndjera, në bisedat e gjata të bëra nënë e bij. Ajo tha në studion e ’Pa Gjurmë’ se edhe Teuta kishte 5 vite që i kërkonte, por nuk kishte mundur t’i gjente pasi nuk mbante mend mbiemrin e saj. Me sytë plot gëzim, nëna e Teutës përshkruan edhe një herë castin kur ’Pa Gjurmë’ i komunikoi lajmin, moment kur iu rikthye shpresa e humbur.