Në studion e ‘Rreze Dielli’ me Edlira Athanas Joseph, vajza e dy artistëve të mëdhenj, tenorit Xhoni Athanas dhe primabalerinës Sekine Sharofi. 30 vite pa ardhur në Shqipëri, Edlira rrëfen jetën e saj në Boston si drejtuese e ‘Bijat e Shën Gjergjit’ dhe kujton karrierën e saj si balerinë dhe aktore, si dhe historinë e përzgjedhjes si imazhi i 500-lekëshit që doli në vitin 1993!
Edlira Athanas është vajza e dy artistëve të mëdhenj, tenorit Xhoni Athanas dhe prima balerinës Sekine Sharofi. Kur ishte e vogël, mori pjesë në Festivalin e Fëmijëve me këngën “Macja le të lahet”, një nga këngët më të njohura për fëmijë edhe në gjeneratat e sotme. Me pas, Edlira vazhdoi karrierën e saj si balerinë, por dhe si aktore në disa filma të Kinostudios si “Tre ditë nga një jetë”, “Balada e Kurbinit”, “Kur ndahesh nga shokët”, etj. Edlira rrëfen dhe historinë e përzgjedhjes si imazhi i kartmonedhës 500-lekëshe “vajza me luledielli” që doli në vitin 1993. Ajo kujton se ishte spikatur në Festivalin e Gjirokastrës dhe kur arriti në Tiranë e kërkuan për foto në TKOB.
Edlira Athanas Joseph jeton në Boston, është psikoanaliste në profesion si dhe presidente e shoqatës “Bijat e Shëngjergjit” e lidhur me kishën më të vjetër të shqiptarëve në Boston e themeluar nga Fan Noli. Roli i Shoqatës është kultivimi i kulturës shqiptare, i ruajtjes dhe i përcjelljes së traditave shqiptare.