Zbulohet dëshmia e trafikantëve/Po shkonte tek burri në burg, u rrëmbye më vajzën në krahë

14 Qershor 2022, 18:52

20 vite nga zhdukja e Klementina Çekiçit nga Pogradeci, vjen për herë të parë dëshmia tronditëse. 40-vjeçarja u zhduk bashkë me të bijën 2-vjeçare shkurtin e vitit 2002, duke lënë pas dhe një tjetër vajzë të mitur. Një vit pas kësaj ngjarje, kur shpresat për nënë e bijë ishin shuar, policia gjen vogëlushen në një banesë të qytetit të Fierit, ku jetonte një zonjë me emrin, Antoneta. Kjo e fundit në intervistën ekskluzive dhënë në emisionin ’Pa Gjurmë’ në Report TV tregon me detaje, sesi dy persona i lanë në përkujdesje vajzën, kundrejt 10 mijë lekë në muaj, duke ia dorëzuar në një rrugicë të qytetit të Fierit. Ajo thotë se u kujdes për vajzën, por nuk mësoi dot se ku kishte përfunduar e ëma. ’Pa Gjurmë’ në rrugë jozyrtare mundi të zbulojë detaje tronditëse të këtij rrëmbimi, nga dëshmia që dhanë tre trafikantët Ardian Stroni, Dritan Hoxha dhe Viron Tavanxhiu. Ata janë shprehur pas arrestimit se Klementina Çekiçin e kanë rrëmbyer me vajzën në krahë. Atë ditë sipas familjarëve, ajo kishte shkuar në Korçë, që të vizitonte burrin e saj në burg, të ndaluar për vjedhje. Por, pak para se t'i afrohej burgut, sipas dëshmisë së tre të kapurve, ata e kanë futur me forcë në makinën e tyre. Pasi e kanë çuar në Fier, e kanë ndarë nga fëmija, të cilin e kanë mbajtur peng, me qëllim që ajo të bindej për të prostituar në Itali. Vajzën e kanë lënë për kujdestari një mikeshës së tyre, ndërsa nënën e kanë dërguar drejtë shtetit Italinë. Ndërsa u njoh me këtë dëshmi tronditëse për të motrën, Marsela Mucaj e shokuar kërkon të zbulohet sa më parë e vërteta për fatin e Klementinës. 'Pa Gjurme' po vazhdon punën investigative për rastin e 40-vjeçares Klementina Çekiçi. Kush ka më shumë informacion është i lutur të kontaktoi në numrat 069 99 55 698 dhe 0444 17 778 duke iu tuajtuar anonimati i plotë.