Zhduken tre kushërinjtë, dyshimet se u vranë/ Familjarët: Fqinji na tregoi se fshihen në Kretë

10 Mars 2021, 18:49 | Përditesimi i fundit: 2021-03-10 21:21:50

Në emisionin ’Pa Gjurmë’ në Report TV sollëm këtë të mërkurë historinë e njërit prej tyre. Fatos Latifllari dhe dy kushërinjtë e tij mbërritën shëndosh e mirë në Volos të Greqisë, ndërsa njoftuan edhe familjarët. Fillimisht nisën punë në ndërtim, tek një pronar grek me emrin Kosta, duke mbajtur kontakte të rregullta me familjarët në Shqipëri deri më 25 tetor të po atij viti, kur u shkëputën komunikimet. E ftuar në studion e emisionit ’Pa Gjurmë’, Irisa Lafitllari vajza e një prej tre të humburve Fatosit, flet mbi historinë e zhdukjes së të atit që nëna ia ka rrëfyer. Ajo ishte foshnje, kur babai humbi gjurmët, duke lënë pas vetëm imazhin e tij, në foton e vetme që familja ruan.

Isha 6 muajshe kur babai është larguar dhe nuk kam asnjë kujtim nga ai, përveç fotove. Nëna e ka bërë prezent babain me biseda në familje, duke na folur përherë për të. Motra ime më e madhe ka qenë 4 vjeçe, kur babai u nis për një jetë më të mirë. Iku për të përmbushur ëndrrat e tij, të cilat nuk e dimë nëse janë realizuar apo janë lënë në mes. Babai u nis për në Greqi me dy kushërinjtë, të cilët rezultojnë gjithashtu të humbur, njëri është djali i dajës së tij. Flisnin nga posta e qytetit në atë kohë, kur pas tre muajve u shkëputën përfundimisht kontaktet. Pasi humbën kontaktet familjarët u lidhën me pronarin grek Kosta, i cili tha qe janë larguar nga zona, por nuk dhanë më shumë informacion. Babai njihej me emrin Foto.