Zhduket nga Zvicra Irid Kola, prindërit:Në burg nuk ndodhet, nuk e dimë çfarë i kanë bërë djalit

29 Prill 2021, 19:17

Dy vite u panë vetëm në skype, prej më shumë se një muaji nuk ia dëgjojnë më as zërin. Me brengën e një nëne dhe frikën për fatin e djalit të humbur, Natasha Kola iu drejtua emisionit ’Pa Gjurmë, në kërkim të Irid Kolës, i cili humbi gjurmët nga Zvicra më 22 mars të këtij viti. Kërkesa e prindërve drejtuar ambasadës zviceriane nuk zbuloi gjurmë të elbasanlliut, ndërsa emri i tij nuk figuron në asnjë burg. Iridi Kola i riu nga Elbasani humbi çdo kontakt me familjarët nga qyteti i Gjenevës, në Zvicër. 28-vjecari për herë të fundit telefonoi për herë të fundit nënën mbrëmjen e 22 marsit, ku i kishte shprehur se të nesërmen do të udhëtonte në Bern për punë. Pas këtij komunikimi, familjarët tentuan të lidhen sërish me Iridin, por pa rezultat, pasi telefoni i tij rezultoi i fikur. 28-vjecari, prej dy vitesh ishte larguar nga Shqipëria për të kërkuar azil, ku kishte lëvizur në disa shtete të Europës. Prej disa muajsh ishte zhvendosur në Gjenevë të Zvicër, ku jetonte pa dokumenta, bashkë me dy shokë të tij, identitetin e të cilëve familjarët nuk e mësuan dot. Pasditen e kësaj të enjte prindërit e tij Natasha dhe Vangjel Kola iu drejtuan emisionit ’Pa Gjurmë’ për të kërkuar ndihmë. Me largimin nga Shqipëria dy vite më parë, i riu nga Elbasani mbërriti fillimisht në Francë, e më pas në Gjermani si azilkërkues. Me transferimin e tij në Zvicër familjarërt nuk mundën dot të zbulonin se cilët ishin ata që e ndihmuan të bënte këtë lëvizje të fundit. Ata i drejtohen të birit me një mesazh live nga studio e programit.