Zhdukja e të miturës zbulon trafikantët/Nëna:Shpërndan drogë,vajzën e mbajnë peng

27 Qershor 2022, 18:55

Një rast urgjent u denoncua pasditen e kësaj të hëne në emisionin 'Pa Gjurmë' në Report Tv. Bëhet fjalë për 15-vjeçaren nga Mamurrasi Ornela Maxharri, e cila rezulton e zhdukur prej datës 22 janar të këtij viti. E përlotur nëna e adoleshentes, Liljana Maxharri rrëfeu për detajet e largimit të së bijës nga banesa dhe dyshimin se ajo shfrytëzohet për trafik të lëndëve narkotike. Adoleshentja Ornela Maxharri doli nga shtëpia mëngjesin e 22 janarit me justifikimin se do të ikte në ekskursion bashkë me shoqen e saj G.K nga Kruja, por nuk u kthye më në banesë. Familjarët kërkuan informacion edhe në shkollën 9-vjeçare ’Besnik Syla’, por e mitura atë ditë nuk ishte paraqitur në mësim. E mbytur në lot, e ëma Liljana Maxharri rrëfeu për ’Pa Gjurmë’ detajet e largimit të së bijës nga banesa dhe dyshimin se ajo shfrytëzohet për trafik të lëndëve narkotike. Sipas saj është G.K, ajo e cila e ka shtyrë në këtë rrugë duke e bërë pjesë të një rrjeti trafiku të drogës nëpër shkolla. Të kontaktuar nga prindërit e adoleshentes së humbur, G.K nuk ka dhënë asnjë sqarim, përveçse i ka kërcënuar ata. 3 muaj pas humbjes së Ornelës zbulohet gjurmët e fundit në kryeqytet. Nëna mëson se ajo ishte kliente në njëparukeri në zonën e Astirit. Emisioni 'Pa Gjurmë' u lidh live me pronaren e kësaj parukerie, e cila pohon se ishte takuar me 15-vjecares dhe se e kishte patur kliente për dy javë rresht. Por 'Pa Gjurmë' nuk i ndali kërkimet këtu, pasi gjatë transmetimit u lidh live me një tjetër vajzë që pretendon se njihet me adoleshenten. Ajo deklaroi se e ka parë tek Sheshi 'Wilson' në kryeqytet gjatë orëve të natës, të shoqëruar me një tjetër vajzë me flokë të zeza. Largimi nga banesa është një veprim i përsëritur i 15-vjecares. Pak kohë më parë, ajo u gjet 10 ditë pasi ishte larguar nga shtëpia, në qytetin e Fushë-Krujës, në shoqërinë e të njëjtës vajzë me inicialet G.K, me të cilën u përfshi edhe këtë herë. Ornela u kishte pohuar familjarëve se G.K, e kishte detyruar atë që të shpërndante qese me lëndë narkotike në gjimnazin në Fushe-Krujes.