Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zbuluar pikat strategjike që do të bllokohen ditën e nesërme nga opozita, e cila do të ngrihet në protestë kundër taksës në Rrugën e Kombit. Opozita do të nisë nesër mosbindjen civile, duke iu bërë thirrje qytetarëve të bashkohen dhe të dalin në rrugë kundër qeverisë Rama. Demokratët dhe aleatët e LSI do zhvillojnë nesër një protestë mosbindje civile për tre orë (10:00-13:00) duke bllokuar nyjet e katër akseve kryesore rrugore si rrethrrotullimi i Bradasheshit, Vorës, Milotit dhe atë të Çermës.

“Do jemi nesër në protestat e njoftuara nga qytetarët, sipërmarrësit e vegjël, fermerët, njerëzit që janë larguar nga ndihma ekonomike, në Bradashesh, Vorë, Milot. Do jemi në krah të tyre, një popull i bashkuar do të rezistojë. Kjo diktaturë dhe tirani e krimit i ka orët e numëruara. Socialistët e ndershëm ta refuzojnë këtë bandën në pushtet. I thërras të gjithë të bashkohemi nesër”

Lulzim Basha, kryetar i PD

Gjithashtu, Basha hodhi akuza të forta ndaj Ramës pas vendimit të gjykatës për të lënë në burg 11 prej protestuesve të arrestuar në "Rrugën e Kombit", duke thënë se kryeministri ka privatizuar policinë, prokurorinë dhe gjykata. 

"Rama ka privatizuar policinë, gjykatat, prokurorinë. Ky është regjim që shkel e nëpërkëmb liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Gjykatat, prokuroria, policia kanë shkelur të drejtat e qytetarëve të pafajshëm. Lulzim Popa, invalid, u grabit në mes të natës dhe mbajt pa ilaçe. U ngrit se nuk kishte para të paguante traun që i vunë te dera e shtëpisë. Ai burgos qytetarët dhe lë të lirë Tahirin. Sejdini  që me bandën e tij terrorizojnë një qytet të tërë. I lirë Arben Ahmetaj që iu merr qytetarëve milionat me inceneratorët. Rama ka privatizuar policinë që sot bëri shtetrrethim në Tiranë. Ka privatizuar gjykatën, që sot dhunoi deputetët e opozitës, sepse nuk donte që shqiptarët të dëgjonin dëshmitë tronditëse të kuksianeve të pafajshëm, që protestuan për bukën e gojës. Regjimet, të cilat i kundërvihen interesit publik, janë vetëm hapa para rrëzimit. Popullin shqiptar nuk e rrëzon dot, ne do jemi në krah të tyre"

Lulzim Basha, kryetar i PD

Rrugët që do bllokojnë protestuesit e opozitës:
 
Rrethrrotullimi i Bradasheshit  

Rrethrrotullimi i Vorës 

Rrethrrotullimi i Milotit

Rrethrrotullimi i Çermës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:47
Opozita nesër bllokon rrugët, kërkon shtyrjen e seancës së Kuvendit

PD dhe LSI i kërkojnë kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi që të shtyjë seancën e Kuvendit e planifikuar të t’u zhvilluar nesër në orën 10:00. Demokratët propozojnë që Kuvendi të mblidhet në orën 18:00, pasi të jetë zhvilluar protesta e opozitës, ku do të bllokohen disa akse rrugore nacionale.  

Gjithashtu Fronti Opozitar ka vendosur të mbështesë çdo protestë të qytetarëve, për paralizimin e qarkullimit të automjeteve për disa orë. Protesta e opozitës pritet të zgjasë rreth tre orë nga ora 10:00 deri në 13:00. 

Akset e bllokuara nga protestuesit do të jenë rrethrrotullimi i Bradasheshit për Lindjen, në Elbasan, rrethrrotullimi në Çermë për Jugun, rrethrrotullimi Milot për Veriun dhe në Vorë për Shqipërinë e Mesme.