Deputetja 23 vjeçare Floida
Kërpaçi:S'​pres asgjë nga kjo qeveri

Deputetja 23 vjeçare Floida<br />Kërpaçi:S'​pres asgjë nga kjo qeveri<br /><br>
Floida Kërpaçi është një vajzë 23 vjeçare, e cila këtë legjislaturë parlamentare veç të tjerash ka detyrën të jetë në rolin e deputetit, duke përfaqësuar zërin e të rinjve të LSI-së por edhe të shqiptarëve. Në një intervistë për Shqiptarja.com, Floida deklaron se pritshmëritë e saj nga qeveria janë zero, njësoj siç është programi i tyre politik.

Deputetja Kërpaçi tregon se edhe pse shënjestrohet shpesh nga deputetët e forcave të tjera politike, për shkak të moshës së saj të vogël, ajo nuk kompleksohet por i qëndron besnike misionit për të qenë e vërtetë. Figura e saj të kureshton gjatë seancave plenare apo në Komisione, ndaj dhe Shqiptarja.com realizoi intervistën me Floida Kërpaçin në mënyrë që të vlerësoni vetë ju vizionin që një i ri ka në Parlament.

-Pse keni zgjedhur LSI-në? Pse dje dhe pse sot? Pas kaq shumë ndryshimesh në këtë forcë politike, koalicione, ndryshime kryetarësh .. çfarë ju lidh me LSI?

Angazhimet e mia në LSI kanë nisur në vitin 2012. Në atë kohë isha gjimnaziste pranë Gjimnazit ‘Petro Nini Luarasi’, ku u angazhova në strukturat e LRI-së. Unë gjithmonë kam besuar se për të sjellë ndryshimin që duhet në një komunitet, në një qytet apo shtet, duhet që njerëzit të aktivizohen e të bëhen pjesë aktive e tij. Ndaj unë zgjodha LRI-në, si një forum rinor serioz që i kishte dhënë provat për korrektësinë e tij në mbrojtjen dhe mbështetjen e rinisë shqiptare, tek i cili besova ëndrrat dhe dëshirat e mia për tu bërë pjesë e ndryshimit.

Dje, sot dhe në vazhdim, me LSI më lidh misioni i saj i qartë e i pandryshuar që prej themelimit. LSI është një parti e njerëzve të zakonshëm, përfaqëson interesat e popullit të thjeshtë dhe që në aksionin politik drejtohet nga interesi kombëtar e jo personal, drejt integrimit të vendit, zhvillimit ekonomik e social të shoqërisë sonë. Kjo parti e re në moshë por e pjekur në vendimmarrje ka qenë gjithmonë partizane e politikës që mundëson një shans për të gjithë për një jetë më të mirë. Jo vetëm mua, por besoj këto janë arsye që lidhin të gjithë votuesit dhe simpatizantët me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

-Floida besoni se do të kemi një reformë të vërtetë në administratë? Ç’do ndodh me  drejtorët e LSI në pozicionet e rëndësishme, në degët e qeverisjes?

Nga kush ta pres këtë reformë? Kjo qeveri nuk e ka as përkushtimin dhe as vizionin për të bërë reforma, por në qëllimet e saj janë koncesionet dhe të ashtuquajturat ’reforma’ që nuk janë gjë tjetër, veçse një e keqe e madhe për të gjithë shqiptarët. Gjate 4 vjeçarit të parë BE ka investuar burime njerëzore dhe financiare për të përmirësuar administratën publike shqiptare, dhe këtë gjë e ka bërë pa pyetur për ngjyrimin politik të njerëzve të administratës, por e ka bërë për t’i shërbyer Shqipërisë, për të përgatitur një klasë profesionistësh të aftë dhe të denjë për të çuar përpara proceset integruese të vendit.

Sot ky investim po asgjësohet, ashtu siç po shkrihet administrata nga veprimet arbitrare të Kryeministrit Rama. Kryeministri i vendit po shkel Kushtetutën dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut kur duke përdorur mjetet e propagandës mediatike diskriminon punonjësit e administratës publike si njerëz si të korruptuar, si njerëz të pa aftë, apo kur i etiketon si pjesëtarë të një grupimi të caktuar politik, kur në fakt i paaftë, i korruptuar dhe i inkriminuar është vetë Rama.

 

-Cilat janë pritshmëritë tuaja nga qeveria “Rama 2”?

Prej ditës së parë në Kuvend unë nuk kisha asnjë pritshmëri pozitive për qeverinë Rama 2, pasi u bë publike programi 0 i qeverisë, i cili nuk parashikon mënyra sesi do të ulim papunësinë e të rinjve, cilat do të jenë këto mekanizma, si do të luftojmë largimet masive të të rinjve të vendit. Një shtet i cili i largon të rinjtë dhe nuk bën asgjë për këtë fakt, nuk është gjë tjetër veçse një QEVERI ARMIKE E RINISË DHE E SHQIPËRISË. Papunësia, kostot e papërballueshme të jetesës, shëndetësia e dobët, arsimi i drejtuar nga interesa klienteliste, pasiguria e jetës dhe të ardhmes, janë probleme të rënda që unë s’kam asnjë shpresë që Rama 2 do të ofrojë zgjidhje.

Kjo duke pasur parasysh dhe lidhjen e qeverisë më nivelin e kriminalitetit në vend. Nuk mund të pritet nga një politikan i lidhur me krimin që të mendoje e ofrojë zgjidhje për papunësinë apo shëndetësinë. Sipas meje 2 janë qëllimet kryesore të kësaj qeverie: 1) Propagandë intensive e stilit komunist për të hequr vëmendjen e shqiptarëve nga hallet e përditshme si papunësia, ekonomia, kriminaliteti, etj. dhe për të ngritur kultin e individit rreth Z. Rama për tu njohur nga të tjerët si lider i plotfuqishëm; dhe 2) Pastrimi i të ardhurave të krimit të organizuar, gjë të cilën qeveria do ta realizoje përmes mekanizmave qeverisës, mekanizma të dështuar që tregojnë fundin e kësaj qeverisje.

-Për një studente të mjekësisë çdo të thotë të jesh një politikan i mirë?

Njerëzit i votojnë politikanët për të ofruar zgjidhje ndaj problemeve dhe për ti ofruar një perspektivë zhvillimi që ata të jetojnë më mirë. Unë e shoh shumë të thjeshtë këtë pjesë. Të jesh një politikan i mirë, do të thotë të mos e humbasësh kontaktin me njerëzit.  Të dëgjosh, të shohësh e të ndjesh; të kesh zemër dhe të jetosh dhe ta shohësh realitetin ashtu siç e jetojnë familjet e vendit tonë. Mbi bazën e nevojave të tyre dhe programit politik që u ke ofruar në zgjedhje, ngri aksionin tënd politik, në parlament, në qeveri e kudo.

-Kalimi nga bankat e shkollës në 'bankën' e Parlamentit, si e përjeton një deputete e re  23 vjeçare këtë?

Të jesh pjesë e Parlamentit të Shqipërisë është një detyre e lartë, një përgjegjësi për të qenë zëri i përfaqësimit të qytetarëve dhe sidomos i të rinjve, një grupmoshe të cilës unë i përkas. Ndjen dhimbje dhe trishtim, kur shikon se qeveria që ka mundësitë për të ndihmuar familjet dhe të rinjtë e vendit tonë, tallet me rininë dhe e vetmja gjë që bën me të është gënjeshtër pas gënjeshtre. Ashtu si në bankën e shkollës duhet të studiosh për të përmirësuar veten e për të marrë nota të mira, edhe gjatë qëndrimit në bankën e Parlamentit detyra ime është përkushtimi maksimal për të qenë me kokën lartë kur të përballem me besimin qytetar që me dha mundësinë për t’i përfaqësuar në kuvend, i cili siç e kam shprehur dhe në fjalën time në parlament u takon qytetarëve.

-Si shkoi kjo fushatë zgjedhore dhe pse mendoni se u zgjodhët ju e treta në listën për deputetë nga shumë LRI-stë tjerë?

Në hartimin e listave LSI gjithmonë ndjek një model përfaqësues ku forumet drejtuese në mënyrë kolegjiale propozojnë emrat dhe renditjen e tyre. Unë jam ndjerë e nderuar për mundësinë që forumet e LSI më kanë dhënë kandidimin dhe renditja e treta besoj ka të bëjë me rolin e jashtëzakonshëm që LRI luan në jetën politike të LSI, shtuar këtu dhe vizionin e partisë për të mbështetur sa më shumë pjesëmarrjen e të rinjve në jetën politike të vendit. Sa i përket fushatës zgjedhore, unë mendoj se duhet bërë një libër për të. Ku të shkruajë secili eksperiencën e tij gjatë kësaj fushate.

Unë së bashku me deputeten tjetër, Kejdi Mehmetaj kemi qenë kandidate në Njësinë Numër 5 në Tiranë. Takoja përditë njerëz shumë mikpritës për ne, për mesazhin e LSI dhe si asnjëherë në çdo derë që trokisnim gjenim njerëz të hapur e të prirur për të mbështetur me votë programin e LSI për një shans për të gjithë. Gjithçka ndryshoji javën e fundit të fushatës, ku s’kishim më përballë vetëm kandidatët politikë të forcave të tjera, por edhe njerëz që mbinë si kërpudha e të mbështetur nga policia shpërndanin para dhe terror për të detyruar njerëzit të votonin për një parti të caktuar. Është fundi i demokracisë që dy vajza të reja t’i bëjnë ballë krimit të organizuar, e kjo nuk na stepi por na shtoi jashtëzakonisht shumë avantazhin moral dhe ky avantazh u përkthye në rezultatin e LSI-së i cili ishte spektakolar, arritëm të merrnim ato vota që morëm dhe e rritëm me 3 numrin e deputetëve në parlament.

-Floida duket se mosha juaj bëhet shkak që të shenjëstroheni gjatë fjalës tuaj në foltoren e Kuvendit apo komisione nga deputetët e forcave të tjera politike. Si e përjetoni ju këtë?

Loja politike që është parë për 27 vite në atë parlament, është e shëmtuar por nuk më bën përshtypje. Ne brezi i ri kemi mënyrë tjetër të menduari që nuk kompleksohemi fare. Ndoshta ka pasur dhe ka në Parlament njerëz që kanë frikë nga çfarë kanë bërë në të kaluarën dhe heshtin, ndërsa unë jam e lirshme të vazhdoj të bëj punën time,për të cilën nuk kam asnjë lloj frike apo intimidimi. Misioni im është dhe do të jetë sinqeriteti dhe e vërteta për të përfaqësuar qytetarët dhe rininë e vendit tonë. Nuk do t’ia falja vetes nëse në fund të mandatit nuk do ti kisha qëndruar besnike besimit të qytetarëve dhe fjalëve që u kam thënë se do ti bej realitetit.

-Cili është synimi juaj këtë legjislaturë parlamentare, Floida?

Do doja të bënim shumë në këtë legjislature për të rritur ekonominë e familjeve shqiptare, mirëqenien dhe sidomos punësimin si çelësi i vetëm për një jete me të mire. Ne si LSI, edhe  force opozitare do të jemi të angazhuar për të sjelle alternativa e nisma parlamentare për ta ndihmuar këtë qeveri që nuk mendon për njerëzit që të behet me humane e të shohë realitetin me sytë e tyre. Sfida ime personale është dhe do të jete përfaqësimi i të rinjve dhe ngritja e problemeve të tyre për të gjeneruar aksionin e nevojshëm për zgjidhjen e tyre.

-Dhe një pyetje të fundit jashtë programit politik. Si e rregulloni ju raportin brenda vetes, për të ruajtur bilancin mes një vajze politikane që përfaqëson një komunitet të gjerë, me atë vajzën 23 vjeçare, dëshirat, mërzitë apo dashuritë e saj...

Kur mamaja ime më thoshte shpesh kur isha e vogël se “jeta është luftë”, nuk e kuptoja. Në këtë aspekt për çdo njeri ka sfida mes rrugës se ndjekjes së ëndrrave, pasioneve, kryerjes se detyrimeve që ka, dedikimit ndaj familjes, etj. Unë kam një bindje timen që çdo njeri, nëse do e ka të gjithë kohën për t’i bërë të gjitha. Gjen kohë për shkollën, shoqërinë, librin dhe angazhimet e tjera politike. Jeta është shumë dinamike, por duhet të ecësh me hapin e saj për të ndërtuar një të ardhme sipas aspiratave që ke.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

7 orë diskutime të tensionuara Kosovë-Serbi në Bruksel! Lajçak paraqet propozim kompromisi për çështjen e dinarit! Bislimi: Përafron palët

7 orë diskutime të tensionuara Kosovë-Serbi në Bruksel! Lajçak paraqet propozim kompromisi për çështjen e dinarit! Bislimi: Përafron palët