Lëkundet alibia/ Meta votoi pro emërimit të kolonel Demirajt ministër të Brendshëm 

Statusi i ushtarakut aktiv është arsyeja kryesore dhe e vetmja e pretenduar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, për mosdekretimin e Sandër Lleshajt për ministër të Brendshëm. Sipas kreut të shtetit, “një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”. Ndërkaq, vetë Sandër Lleshaj, përmes një letre drejtuar Presidentit, pretendon se e ka humbur statusin e ushtarakut aktiv që prej shtatorit të 2013, kohë nga e cila ka filluar të ushtrojë detyrën e këshilltarit për sigurinë pranë kabinetit të kryeministrit. Por ndërsa ka bllokuar Lleshajn, Presidenti Ilir Meta, në datën 22 maji të 2017, asokohe deputet dhe kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, ka votuar në Parlament pro emërimit të kolonel Dritan Demirajt në krye të Ministrisë së Brendshme.

Proçesverbali i votimit

Demiraj ishte shkarkuar nga detyra nga ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ndërsa Lleshaj është shkarkuar nga detyra nga ish-presidenti Bujar Nishani si zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, duke firmosur njëkohësisht edhe daljen e tij në lirim. Si Demiraj, ashtu edhe Lleshaj, rrëzuan vendimet e shkarkimit përmes gjykatës. Ligji është shumë i qartë kur një person e humbet statusin e ushtarakut aktiv. Megjithatë, diskutimi nëse një ushtarak e humb apo jo statusin ‘aktiv’ pasi shkarkohet dhe kur ka fituar betejën në gjykatë po ushtron një funksion tjetër që nuk pajtohet me detyrën e ushtarakut, vijon, ndoshta deri kur të japë një përgjigje përfundimtare gjykata.

Por, vota e Metës pro emërimit të kolonel Dritan Demirajt si ministër të Brendshëm duket se e lëkund justifikimin e tij për të mos dekretuar Sandër Lleshajn. Nga procesverbali i votimit, rezultojnë se kanë votuar pro emërimit të Dritan Demirajt ministër të Brendshëm edhe deputetët e tjerë të LSI, përfshirë Luan Ramën dhe Petrit Vasilin, të cilët sot mbështesin mosdekretimin e Sandër Lleshajt. Natyrisht pro emërimit të Demirajt ministër kanë votuar edhe deputetët e PD, të cilën nuk janë përfshirë në debatin aktual. Gjithashtu, para se të votohej nga Parlamenti, ish-presidenti Bujar Nishani, dekretoi Dritan Demirajn, pavarësisht nëse e kishte apo jo në atë kohë statusin e ushtarakut aktiv. Në këtë mënyrë, ish-Presidenti Nishani vendosi standardin e lejimit të dekretimit ministër edhe të ushtarakut.

Ushtaraku aktiv 
Ligji nr. 9210, datë 23.3.2004 për statusin e ushtarakut, i ndryshuar në 2009, parashikon tre kategori të ushtarakut aktiv. Në të tre rastet, shtetasi e ka këtë status vetëm kur shërben në Forcat e Armatosura. Kategoria e parë është ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm. Në këtë rast shtetasi shërben në Forcat e Armatosura si ushtarak (oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist) dhe fiton statusin e karrierës, të përcaktuar në ligjin për gradat. Kategoria e dytë është ushtaraku i shërbimit aktiv të përkohshëm, ku shtetasi pranon të shërbejë në Forcat e Armatosura si ushtarak (oficer, nënoficer dhe ushtar me pagesë/profesionist), për një periudhë kohe të caktuar. Kategoria e tretë është ushtaraku i shërbimit aktiv të detyrueshëm, ku shtetasi që kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak, sipas ligjit. Sandër Lleshaj nuk përfshihet në asnjërën nga kategoritë për shkak se nuk shërben në Forcat e Armatosura që në vitin 2013. 

Statusi i ushtarakut aktiv, ligji nr. 9210, datë 23.3.2004 

1.    "Ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm" është shtetasi që shërben në Forcat e Armatosura si ushtarak (oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist) dhe fiton statusin e karrierës, të përcaktuar në ligjin "Për gradat dhe karrierën ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë".

2.    "Ushtarak i shërbimit aktiv të përkohshëm" është shtetasi që pranon të shërbejë në Forcat e Armatosura si ushtarak (oficer, nënoficer dhe ushtar me pagesë/profesionist), për një periudhë kohe të caktuar.

3.    "Ushtarak i shërbimit aktiv të detyrueshëm" është shtetasi që kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak, sipas ligjit.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm