POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Giuseppe Valentini: Skënderbeu nuk pranoi kurrë të bënte pakte e as paqe me turqit

Albanologu Giuseppe Valentini

Dr.Dom Nikë Ukgjini- Nga Instituti Filozofik e Teologjik, Shkodër

Kush është Giuseppe Valentini?

Giuseppe Valentini lindi në Padova të Italisë, në vitin 1900 dhe vdiq në Milano, 1979. Si klerik i Urdhrit Jezuit, veproi në Shqipëri nga viti 1935-1943, kur qe detyruar nga diktatura komuniste e Shqipërisë të largohej për në Itali. Gjatë kohës së studimeve dhe specializimeve të tij, Atë Zef Valentini bëri edhe kërkime shkencore nëpër arkiva dhe biblioteka të ndryshme për historinë e Shqipërisë, duke botuar 383 studime më përmbajtje albanologjike. Mund të përmendim disa prej atyre arkivave, si: Archivio Civico të Padovës në vitin 1932; në Archivio di Stato di Roma dhe Archivio Segreto Vaticano në vitet 1935-1938; nga ku nxjerr seritë e mirënjohura të dokumenteve, të cilat do t’i botojë për shumë vite me radhë në revistën “L.E.K.A” si dhe në periodikë të tjerë në gjuhën shqipe. Një arkiv tjetër që shfrytëzohet që nga viti 1935 e deri në fund të jetës së tij, të cilit edhe i kushtoi shumë kujdes, ishte Archivio di Stato di Venezia, në Venedik, nga ku nxori dhe botoi në gjuhën latine 25 vëllime me titull  “Acta Albaniae Veneta”  (Aktet shqiptare të Venedikut ) (1301-1463) të shek. XIV-XV, gjithsej 7667 dokumente me studime historike, para dhe gjatë epokës së Skënderbeut, të botuara nga viti 1967-1979. Prej tyre 8 vëllime, XVIII-XXV, viti 1443 -1463, ia kushtoi kohës së heroizmit të pa shoq, Gjergj Kastriotit me 2. 890 dokumente arkivore prej 3.128 faqesh. Në dorëshkrim ka mbetur vëllimi i 26-të, me rreth 700 dokumente të tjera, i cili pret ta shohë dritën e botimit.

Shumë prej veprave të tij gjatë sistemit komunist kanë qenë të ndaluara ose të përbuzura. “Padre Valentini,- shkruan Malaj,- e dashuronte dhe vazhdon ta dashurojë Shqipërinë, tokën e Skënderbeut, që e konsideronte atdheun  e tij të adaptuar dhe ideal”. Shtëpia botuese “Plejad” ka përmbledhur punën e tij në 19 vepra, në gjuhën shqipe.

Gjergj Kastrioti, burrë i besës dhe i trimërisë

Figura më emblematike e shek. XV, në Ballkan por edhe në Evropë, padyshim është ajo e Gjergj Kastriotit, të cilin pararendësit tanë e mbuluan me lavdërime më tepër se çdo hero tjetër të asaj epoke. Ai më zgjuarsinë e guximin përmes luftës 25 vjeçare kundër turqve, bëri që heroizmi arbërorë për herë të parë të jetë i njohur në tërë Evropën.

Valentini në studimet e tij, duke i shprehur admirimin thotë: “Edhe mos të kishte qenë Skënderbeu ngadhënyes në nji seri luftimesh, të vishtira, por gjithmonë i thyem, në 25 vjet qindresë kundra Turqvet, prap se prap admirimi i em e i çdo Evropiani të ndritur, do i’shte ai qi asht”... “prandaj, jeta e vepra e tij, vazhdoi të jetojë edhe me pas, në historinë e letërsinë shqiptare dhe  evropiane”.

Duke pranuar pa hezitime nacionaliste faktin shkencor se mitet kanë rrjedhur si shpikje e kulturave Ballkanike, si nevojë për të rindërtuar e rilindur kulturën e tyre si në Itali dhe vende të tjera të Evropës, Valentini, në mesin e shek. XX gjurmon në arkivat e ndryshme, si atë të: Vatikanit, Padovës, Firences, Venedikut etj., dhe ndër të tjera ai do shprehej se: Skënderbeu nuk mund të jetë një mit, por një hero real i shqiptarëve dhe i Evropës se atëhershme. Mandej, në një shkrim të tij, “Gjergj Kastrioti  pasqyra e atdhetarit shqiptar”, jep në hollësi karakteristikat njerëzore të tij si: ideali shqiptar; ringjallës i kombit; ai është ideal, e të tjera epitete. Me këto virtyte të larta ushtarake, Skënderbeu,- sipas Valentinit,- është heroi që bashkoi perëndimin nëpërmjet Papatit si emërues përbashkimit për tërë mbretëritë Evropiane, qoftë për ato shtete ballkanike që i takonin Kishës Lindore si: Greqia, Bullgaria e Serbia. Me të drejtë papët e Kuries Romake e shpallën “Athleta Christi” e “Defensor fidei”, duke e ngritur Skënderbeun në piedestal 6 shekuj më parë, e shumë më pas, më 18 janar të vitit 1968,  Papa Pali i VI-të, e shpalli Skënderbeun si modelin që duhej ndërtuar Evropa e viteve 60-të.

Sipas rrëfimit të biografit të tij Marin Barlecit, i pari Gjergji i marrë peng e pranoi islamin dhe emrin Iskender (Aleksander) dhe merr pjesë në ndërmarrjet ushtarake të turqve kundër shteteve të krishtera. Si i tillë ai gëzonte besimin e veçantë të Sulltanit dhe që nga viti 1438, iu besuan poste të ndryshme administrative në Shqipëri, gjë që nuk e ndali të mbante kontakte të fshehta me Venedikun e Raguzën, madje, as me prindërit e tij, Gjonin dhe Vojsavën, të cilët, sipas konsullit Giorge Von Hahn, flitej së gjatë kësaj kohe kanë qenë strehuar në Kështjellën e Vigut, në Mirditë. Me ofensivën hungareze në vitin 1442, kjo do t’ia këtë zgjuar Skënderbeut synimin që ta priste çastin e volitshëm që ta shtinte në dorë sundimin e të atit, të cilin ia kishin marrë turqit në vitin 1440. Kur në vitin 1443 hungarezët kishin marrë Nishin, ky me trupat shqiptarë, nën urdhër të tij, doli nga ushtria turke dhe çliroi kalanë e Krujës. Kjo ishte nisja e cila solli vazhdimin e kryengritjeve të vazhdueshme që bëri Skënderbeu përgjatë jetës së tij deri në vdekje, në vitin 1468. Për t’iu kundërvënë turkut me një front unik shqiptarë, Skënderbeu thirri në një kuvend aristokratët shqiptarë në Lezhë, në vitin 1444, dhe si komandant u zgjodh vet ai.

Gjergj Kastriot Skënderbeu

Si e ushtroonte Skënderbeu pushtetin dhe besimin e dhënë nga princërit! Valentini në shkrimin studimor,“Gjergj Kastrioti, Pasqyra e Atdhetarit shqiptar”, mendon se: Skënderbeu si prijës ushtarak konsideronte veten si “ primus inter pares”  (i pari ndër të barabartët) e jo sundimtar i ndonjë shteti shqiptar, siç pohohet nganjëherë. Armatës  se porsakrijuar i shkoi përdore brenda pak kohe t’i fus nën kontrolle të gjitha kalatë turke në Shqipëri të Mesme. Qëndrimi i Republikës së Shën Markut kundruall Skënderbeut kishte qenë dytehësh: nga njëra anë asaj i leverdiste kryengritja shqiptare kundër turqve, porse në tjetrën anë ndihej e rrezikuar nga prijësi shqiptar në interesat shqiptare në Shqipëri. Këndej ajo synonte që pozita e tij të mos forcohej tepër shumë. Por sidoqoftë marrëdhëniet e Skënderbeut me Venedikun edhe pse shpeshherë ishin të tensionuara duke shkuar deri në armiqësi,  sipas Valentit kishte dhe momente të kthesës në marrëdhëniet ndër shtetërore sepse “pse ndihmën e shef të domosdoshme për atdhe.” Mendohet për ndihmën veneciane  kundër turqve.

Në vitin 1445 u vra Lekë Zakaria, i cili nuk la pasardhës dhe Skënderbeu si princ i Arbit i shpallur me parë në Lezhë, kundërshtoi Lekë Dukagjinin dhe Venedikasit për ta marrë Danjën. “Ky gjest nuk qe për egoizëm”,- thotë Valentini,- sepse Gjergji, “për martesë e trashëgim kurr s’desht me dijtë gja”, por kjo armiqësi e përkohshme ndodhi sepse Danji qe një vend strategjik ushtarak, nga do ishte më e lehtë të sulmoheshin hordhitë turke që silleshin vërdallë për rreth e çark kalave të Drishtit, Shkodrës dhe Lezhës për t’i pushtuar ato. Gjithashtu Danji ishte porta kryesore doganore për zhvillimin e tregtisë nga Adriatiku në drejtim të Prizrenit e Nishit.  Paqja me dukagjinasit qe arritur më 25 tetor të vitit 1452, me ndërmjetësimin e ipeshkvit të Drishtit, Imzot Pjetrit, në emër të papa Nikollës V. Lufta me Venedikun për zaptimin e Dejës, sipas Valentinit qe “ nji ndër periudhat më pak të dokumentueme”.

 Rrethimi i Krujës nga turqit i udhëhequr nga Sulltan Mehemeti II (1451-1481) personalisht, që zgjati mbi katër muaj, ku përfundimisht fitimtar në vitin 1450 doli Skënderbeu, pati një jehonë të madhe në tërë Evropën e krishterë. Papa Nikolla V, Mbreti Ladislav V i Hungarisë dhe mbreti Alfons I i Napolit, dërguan përgëzime dhe ofruan  dhënien e ndihmës se tyre. Pas vdekjes e Hunyadit 1456, ishte Skënderbeu ai që vlente si përfaqësuesi më efikas i çështjes së krishterë kundër turqve. Ai për 25 vjet rresht u qëndroi sulmeve turke duke thyer dhjetëra herë ekspeditat e tyre edhe kur këto i komandonin sulltanë, si Murati II dhe Mehmeti II.

Feja e Skënderbeut dhe zbatimi i ligjeve të Kishës Romake

Pas kthimit në atdhe, Gjergji u rikthye në besimin e vjetër të krishterë romak. Dhe si i tillë korrte fitore të shumta ndaj turqve. Papët zunë të shohin në të figurën kryesore të planeve të tyre rreth kryqëzatave. Sepse Skënderbeu ishte heroi që bashkoi botën perëndimore  dhe i dha një vlerë të përbashkët. Mbi këtë vlerë papët, të gjithë pa përjashtim, e kanë parë Skënderbeun si “Defensor Fidei”, si një “Athleta Christi”,  e në kuptimin fetar dhe shoqëror,  si një simbol që bashkon besimtarët evropianë,- konstaton Valentini. Kështu që papa Eugjeni IV në vitin 1446, i dha përkrahjen e duhur, madje Kalistin III, myslimanin e  dikurshëm, e quajti “Athleta Christi”. Dhe akoma përkrahje më të theksuar i dha Piu II (1458-1464), i cili menjëherë pas zgjedhjes së tij si papë,  në vitin 1458, iu qas planifikimit të një kryqëzate të re, duke ia besuar komandën e ushtrisë së koalicionit evropian në vitin 1464 në Ankona, princit të Arbrit,  Gjergj Kastriotit. Por vdekja e papritur e papës në Ankona i dha fund kësaj ndërmarrjeje ushtarake. Në lidhje me studimet për aleancat e huaja në epokën e Skënderbeut, e në veçanti  për raportet e tij me Papatin, Valentini së bashku me dy miqtë të tij, Sciambra dhe Parrino, përmbledhur në një libër, kishte për subjekt planin e përgjithshëm të veprimit të kryqëzatës së madhe evropiane, pasi që Krishterimi konsiderohej si flamur i identitetit evropian, pjesë e së cilës ishte dhe Arbëria.

Shkëputja e Kishës Lindore (bizantine) nga Roma, nga ana papatit kishte sjellë mallkimin e kësaj Kishe Lindore, duke i acaruar marrëdhëniet, madje deri në armiqësi të ndërsjellët. Kjo na çon deri të përfundimi se Skënderbeu, si aleat i ngushtë i papatit, zyrtarisht nuk ka mundur t’i zbatojë ritet e Kishës së Kostandinopojës, por vetëm ato të Kishës romake. 

Pasi Gjergj Kastriotit, si një prijës i kalibri të lart, ku në Evropë ushtonte zëri i papëve të Romës,  ideali atdhetar nuk mund të ishte ndryshe veçse sipas asaj të moçmes e të amshuarës, “pro aris et focis”, (për fe e atdhe). G. Valentini, numëron elementet kryesore të besimit, që Gjergji i kishte në fokus: “Zotin, Kishën, Klerin e nderonte”. Ai, sipas dokumenteve, jetonte plotësisht në përkim më ligjet të krishtera të Kishës romak, duke i dhënë ndihmë besimtarëve dhe shenjtërorëve, ku populli shtegtonte për t’iu lutur Zotit. Mons. Giorge Dillon, në vitin 1884, shprehej së Gjergji, para çdo beteje që do zhvillonte kundër turqve, më parë lutej te Shenjtërorja e Zojës së Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafa, e ndërtuar në shek. XIII. Sipas Dimitër Frangut, ai kishte një devocion të veçantë ndaj Shenjtëroreve të ndryshme, duke ndihmuar edhe në rindërtimin e ndërtimin e tyre. Sipas traditës i ka ndihmuar Kishës së Zojës së Bekuar në Kepin e Rodonit, ku aty gjendej njëra ndër vrojtoret e Adriatikut.

Në favor të këtij argumenti është dhe fakti së Skënderbeu vazhdimisht ka qenë i lidhur ngushtë më Selinë e Shenjtë dhe dhënia e të drejtës nga ana papës Piu II,  për t’u kurorëzuar për prijës ushtarak, në vitin 1464 në Ankona të Italisë, ka qenë mbështetur në të drejtën kanonike të Kishës katolike romake. Argumenti tjetër, është se Skënderbeu, këshilltarët e ngushtë publik i ka pasur nga radhët e hierarkisë së lartë të Kishës katolike, si: Pal Engjëllin, Gjergj Pelinin, Gazullorët etj.. Por historiografia nuk ka arritur të zbulojë se ku është celebruar  martesa kishtare me Donikën në vitin 1451! Kjo për faktin e thjeshtë se deri tani askush nuk ka mundur të zbulojë dhe publikojë të paktën një dokument që flet rreth saj. Ekzistojnë vetëm disa gojëdhëna të cilat aludojnë rreth disa kishave, si vende ku është kryer kjo ceremoni martesore. Dy kishat më të lakuara ku u bë kurorëzimi kishtar sipas ritit romak është Manastiri i Ardenicës dhe Kisha e Shën Marisë në Denjë. Po sipas ritit romak ka qenë i vajosur gjatë sëmundjes nga Imzot Pal Engjëlli dhe varrosur në Kishën e Shën Nikollit, më 17 janar të vitit 1468 në Lezhë.

Pas vdekjes së Skënderbeut, toka e tij fillimisht ra në dorë të Venedikut e nga viti 1472 -1479, Shqipëria përfundimisht u bë pjesë e Perandorisë Osmane. Pushtimi turk u dha fund përpjekjeve relativisht modeste për krijimin e një shteti shqiptar në Mesjetë. Nga ana tjetër, vendi u zbraz nga emigrimi masiv  i popullit tonë në vendet fqinje. Gjendja e jetës ekonomike e sociale, u bë e mjerueshme për shkak të pushtimit të Perandorisë Aziatike. Zhvillimi kulturor dhe politik mori  kaheje myslimane lindore, çfarë solli zbehjen e identitetit tonë shumë shekullor dhe dobësimin e pozicionit tonë politik në Evropë, çfarë u reflektua në copëtimin e trojeve në Kongresin e Berlinit, në vitin 1878. Fakti së pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare gjatë shekujve kishte pranuar islamin, ata merrnin pjesë qenësisht edhe në historinë e kulturën e Perandorisë Osmane, - konstaton Giuseppe Valentini.

Përfundimi

Finalja e madhe e hulumtimeve kërkimore shkencore të G. Valentinit, sidomos për periudhën e historisë para dhe kohës së Skënderbeut, qenë “Aktet Shqiptare –Venedikase” në 25 vëllime. Me anë të këtyre dokumenteve të sistemuara me kritere të rrepta shkencore u ofron studiuesve një histori të imët, dokumentacion shterues e të mjaftueshëm  për ndërtimin pothuajse të vërtetë,  të realitetit të kohës kur veproi Skënderbeu.

Epoka e lavdishme e Skënderbeut,- sipas Valentinit,- përkoi me ambientin evropian të arbërorëve të thithur që nga koha e lashtë ilire. Përballjet radikale ushtarake të Skënderbeut me turqit, në momente të caktuara dhe me Venedikun për çlirimin e vendit të robëruar, lipsen kristalizuar edhe më tej. Nga dokumentet e Valentinit, rezulton se me turqit, Skënderbeu nuk pranoi kurrë një paqe të vërtetë, nuk pranoi kurrë pakte, nuk pranoi kurrë t’u japë një vendqëndrim në vendin e tij.

Sipas studimeve të Valentinit, në thelb nuk është se mungon diçka në shërbim të njohjes së epokës së Shqipërisë, së kohës së Skënderbeut e as figurës historike të tij. Mjafton të përmendim Tivarsin (Biemmi), 1480; Marin Barlecin, 1504; Dhimiter Frangun, 1545; Sansovino Francesco, 1568 etj.. e deri te libri i fundit, Atë  Athanas Gegaj, “Shqipëria dhe evazioni  turk në shekullin e XV, Louvain, (Paris), 1937”, me të cilin është shërbyer autori në fjalë. Dhe duke u kufizuar vetëm në botime librash që flasin kryesisht mbi Skënderbeun nga viti 1500-1900. “Janë rreth 100 të tilla, 10 në shqip, 10 në latinisht e të tjerat në gjuhë të ndryshme evropiane”,- do shprehet Valentini. Por, duhet zbuluar edhe më tej për Skënderbeun në arkivat italiane dhe ato të Turqisë ku ka ende të dhëna të panjohura. Shqipëria e vendosur në mes të dy kulturave, të Orientit dhe Perëndimit, ka një mundësi pasurimi kulturor të dyfishtë.  Por, njëherësh rrezikon të kanoset në transformimin e një kulture të tipit turko - mysliman dhe të ngërthehet në prangat e vjetra të tipit bizantin, gjë që do të sillte zbrazëtinë dhe thyerjen e saj, veçanërisht në shekujt e fundit.

Konferencë Ndërkombëtare “Skënderbeu në 550 vjetorin e vdekjes”. Tiranë, 1-3 nëntor 2018.

 

a.s.
Komento